Limaj: Këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen e Kosovës

24 gusht 2019 | 21:34

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh kandidat për kryeministër Nisma-AKR, Fatmir Limaj, ka takuar të shtunën strukturat drejtuese dhe mbështetësit e Nismës në rajonin e Hasit.

Në këtë takim, ku të pranishëm ishin edhe deputetë e anëtarë të kryesisë së Nismës, kryetari Limaj, ka thënë se sot janë në një rajon që gjithnjë ka qenë vatër e intelektualizmit, e kontributit për atdhe, rajon që i ka dhënë shumë Kosovës.

“Rrënjët tona kombëtare, emancipuese dhe tradicionale janë në Has dhe ketë nuk po e them unë, por e thotë historia”, ka thënë Limaj.

Lidhur me zgjedhjet e ardhshme, lideri Limaj, ka thënë se këto nuk janë zgjedhje të radhës, por janë zgjedhje vendimtare për të ardhmen e vendit.

Ai ka theksuar se parlamenti i ardhshëm do të vendos marrëveshjen me Serbinë.

“Andaj është shumë me rëndësi se kë do të votoni në këto zgjedhje vendimtare për të ardhmen e vendit”, ka deklaruar Limaj.

Limaj ka kërkuar nga mbështetësit e Nismës që të punojnë dhe bashkëbisedojnë me njerëz, të orientojnë qytetarët për të mbështetur më të mirët, në mënyrë që në parlament të shkojnë ata që i duhen Kosovës.

“Kemi nevojë që në parlament të kemi bashkëpunëtorë që janë të gatshëm të bëjnë më të mirën për Kosovën”, ka pohuar Limaj.

Kandidati për kryeministër, Limaj, para qytetarëve hasianë foli edhe për koalicionin Nisma-AKR, të cilin e quajti koalicion i shpresës, i arsyes dhe koalicion fitues.

“Me fitoren e këtij koalicioni, ne do t’i jetësojmë edhe temat e hapura dhe të rëndësishme për qytetarët e vendit, siç janë liberalizimi i vizave, dialogu me Serbinë dhe zhvillimi ekonomik”, është shprehur ai.

Limaj ka përmendir edhe kontributin e diasporës dhe angazhimet që duhet t’i merr qeveria e ardhshme, e drejtuar nga ai.

“Duke punuar pa u ndalur sot jemi këtu, jemi një Nismë e fortë dhe një alternativë shprese, jemi një bosht politik për të bashkuar votën politike për të mirën e shtetit të Kosovës. Rruga jonë është e unitetit, bashkimit, ideve dhe me këtë rrugë duhet të vazhdojmë deri në fitoren e madhe në zgjedhjet vendimtare që po na presin”, ka thënë Limaj.

Në këtë tubim me nga një fjalë rasti, qytetarëve të Hasit ju drejtuan edhe kryetaret e degëve të Nismës në Prizren dhe Gjakovë, Zafir Berisha dhe Fazli Hoxha, të cilët kërkuan nga banorët e Hasit që të angazhohen maksimalisht në përkrahje të Nismës, në krye me kryeministrin e ardhshëm, Fatmir Limaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Robert Lewandowski e ka kompletuar het-trikun në fitoren e thellë…