Limaj: Mbledhja e dy qeverive shqiptare, pikënisje e ndryshimit të bashkëpunimit

24 nëntor 2018 | 13:00

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë njoftuar se në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, pritet të arrihet marrëveshje që bizneset e Kosovës të mos kenë telashe dhe barriera të panevojshme, dhe të mos paguajnë taksa të panevojshme ose në shuma të larta në Shqipërisë.

Të hënën në Pejë do të mbahet mbledhja e radhës së dy qeverive shqiptare, Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, ndërsa një ditë më parë, të dielën, do të bëhet zbulimi i shtatoreve të drejtuesve dhe heronjve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku do të jenë pjesëmarrës drejtuesit e dy shteteve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë për KosovaPress, se në takimin e dy qeverive, do të trajtojnë tema të ndryshme, do të bëjnë një analizë e asaj se çka është bërë deri tani dhe do të kenë disa marrëveshje të reja, që do të jenë me rëndësi për të ardhmen e të dy vendeve.

Ai pranon se ka pasur vështirësi në konkretizimin e marrëveshjeve të arritura në takimet e mëparshme të dy qeverie, por beson se kjo logjikë do të ndryshojë në të mirë të të dy vendeve.

“Ka pas vështirësi në thellimin e marrëdhënieve, sidomos atyre ekonomike, ka pas neglizhencë të zbatimit të marrëveshjeve paraprake dhe ne kemi punuar fort muajt e fundit që mbledhja e radhës të mos jetë sa për t’u parë e për t’u fotografuar, por të ketë rezultate konkrete. Ne jemi të vetëdijshëm edhe dëshmitarë që edhe sot e kësaj dite njerëzit e rëndomtë kanë vështirësi në komunikimin e tyre mes Kosovës dhe Shqipërisë, kanë pengesa të çuditshme të paarsyeshme, vonesa, pengesa të panevojshme, maltretimet e njohjes së dokumenteve, krejt të panevojshme, dhe besoj që këto dy qeveri njëherë e mirë duhet të fillojnë të lehtësojnë qarkullimin e njerëzve, qarkullimin e mallrave, krijimin e lehtësirave, heqjen e barrierave të panevojshme, heqjen e taksave të panevojshme. Po shpresoj që mbledhja e qeverive në Pejë do të jetë pikënisje e një ndryshimi të thellë të bashkëpunimit, për të cilin është shumë m e rëndësi të zhvillohet”, ka thënë Limaj.

Ai ka treguar se njëra nga pikat e rendit të ditës në mbledhjen e dy qeverive, është njohja e certifikatave apo licencave që i lëshojnë në Tiranë dhe në Prishtinë. “Mos të ketë nevojë t’i eksportojmë nga Prishtina, nga Kosova, që licencën që e ka dhënë një institucion apo agjencion këtu në Prishtinë, ta verifikojë edhe një herë në Tiranë ose ta rishikojë edhe një herë në Tiranë, ose ai nga Tirana në Prishtinë”.

Ai ka thënë se nuk janë të kënaqur me punën që është bërë nga qeveritë e dy vendeve dhe Kosova kërkon thellimin e bashkëpunimit, dhe heqjen e barrikadave që kanë penguar këtë bashkëpunim.

“Ne si Kosovë kërkojmë më shumë thellimin e bashkëpunimit, kërkojmë më shumë heqjen e barrierave, të cilat kanë penguar thellimin e bashkëpunimit ekonomik, social, kulturor dhe shpresoj që edhe Tirana ta ketë një vullnet të tillë që të shkojmë deri në fund, të heqim të gjitha ato barrierat të cilat mund të hiqen, edhe kështu bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë të thellohet”, tha Limaj.

Ai tregoi se në takimet që ka pasur me përfaqësuesit e Qeverisë së Shqipërisë, ka ngritur edhe çështjen e bashkëpunimit në fusha tjera, si në komunikimin social, kulturor, arsimor dhe sportive. Në kuadër të kësaj ka theksuar kërkesën që është bërë në vazhdimësi që edhe nxënit e Shqipërisë ta vizitojnë Kosovën, ashtu siç e vizitojnë Shqipërinë çdo vit nxënësit e të gjitha shkollave të Kosovës.

“Ata duhet ta kuptojnë që edhe Kosova ka një histori që është edhe e tyre, historia e kombit, sikurse që ne besojmë që jemi, ngjarjet dhe zhvillimet në çdo cep të Shqipërisë dhe historinë që e shohin djemtë e vajzat tona, është histori e pandashme e kombit tonë dhe ne ndihemi se është histori e jona, kulturë e jona, ashtu çdo qytet edhe çdo historik në Kosovë është e shqiptarëve të Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Shkodrës, apo çfarëdo qyteti të atyre nxënësve”, tha Limaj.

Limaj ka folur edhe për shqetësimet e bizneseve të Kosovës dhe njëri nga shqetësimet kryesore të qytetarëve, por edhe të bizneseve të Kosovës, është taksa rrugore që vlerësohet si shumë e lartë.

“Kemi kërkuar nga kolegët tanë në Tiranë që të gjejmë forma për të zbutur ose për ta zvogëluar këtë çmim që ne besojmë se është i lartë. Kemi marrë premtime nga Tirana që do ta rishikojnë çmimin dhe do të bëjnë më të përshtatshëm për qytetarët e Kosovës. Ne besojmë që vendosja e një takse të lartë vetëm sa e pengon atë që e thamë më herët, thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë”, tha zëvendëskryeministri.

Limaj po ashtu ka treguar se nga Qeveria në Tiranë kanë kërkuar që t’i rishikojnë të gjithë politikat fiskale në raport me taksat, të cilat duhet të largohen dhe të lehtësojnë ekonominë e vendit.

“Ne do të insistojmë në vazhdimësi që bizneset e Kosovës të mos kenë telashe dhe barriera të panevojshme, të paguajë taksa të panevojshme ose në shuma të larta. Në një farë mënyre, presim që premtimi të jetë i njëjtë si nga ana e Kosovës ashtu edhe e Shqipërisë. Ju e dini se ne në pjesën e Kosovës në maksimum kemi lehtësuar qarkullimin e ekonomisë dhe njerëzve nga Shqipëria. Unë çuditem, nuk mund ta kuptoj se si një qytetar i Kukësit, i cili tërësisht furnizohet në Prizren për nevojat e tij familjare, t’i bëhen barriera ose një qytetar i Prizrenit ose një qytetar i Tropojës në Gjakovë. Historikisht Gjakova ka qenë treg i Tropojës dhe Prizreni treg i Lumës, kjo është krejt e palogjikshme”, ka theksuar zëvendëskryeministri Limaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, së bashku me homologët…