 
                    Limaj: Nëse s’ka mandatar të shumicës, shkojmë në zgjedhje
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin “RTK Prime” ka deklaruar se vendi tashmë është futur në fazën ligjore që kërkon respektimin e procedurave pas dështimit të krijimit të qeverisë.
“Tashmë jemi futur në fazën ligjore që duhet të respektohen procedurat, është një takim që presidenten e detyron ligji të na ftoj pas dështimit të krijimit të qeverisë. Ashtu siç e thotë ligji, presidentja ka dhjetë ditë që t’ia jap mundësinë mandatarit të dytë dhe në këtë fazë presidentja fton partitë politike për t’u konsultuar dhe për të parë a ka mundësi dhe potencial që dikush nga forcat politike që janë në parlament të ketë shumicën për të ofruar një mandatar të ri për zgjedhjen e qeverisë”, tha Limaj.
Ai shtoi se ky është një takim procedural, ku partive politike u jepet rasti të dëshmojnë nëse kanë mundësi të ofrojnë një mandatar me shumicën e votave. “Nëse jo, atëherë kalojmë në një fazë tjetër ku bëhet konsultimi me presidenten për të caktuar datën e zgjedhjeve”, theksoi Limaj.
Ai tutje tha se vota e qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme, si votë totale ka qenë e orientuar drejt një qeverie nga opozita dhe se ai ka pasur dëshirë që t’i ofrohet Kosovës një qeveri që vjen nga opozita.
 
                        


 
                                         
                                         
                                         
                                         
                                         
                                        