Limaj pret përfaqësuesit e SBAShK-ut, flasin për grevën në arsim

14 janar 2019 | 18:51

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, bashkë me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë pritur sot në takim përfaqësues nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK-ut), të kryesuar nga kryetari i saj, Rrahman Jasharaj. 

Në këtë takim është diskutuar rreth grevës së filluar në arsim.

Zëvendëskryeministri Limaj dhe ministri Bytyqi janë njoftuar nga përfaqësuesit e SBASHK-ut, për situatën aktuale rreth grevës në arsim, për të cilën Jasharaj tha se ka qenë një vendim tejet i vështirë edhe për SBAShK-un, mirëpo, sipas Jasharajt, nuk kanë pasë alternativë tjetër, pasi që kërkesat e tyre për ngritjen e koeficienteve për të punësuarit në sektorin e arsimit nuk janë plotësuar.

Zëvendëskryeministri Limaj e njoftoi SBAShK-un, se ai personalisht, por edhe  Qeveria është duke e trajtuar me shumë seriozitet çështjen e trajtimit të sektorit të arsimit në projektligjin për pagat.

Limaj shprehi gatishmërinë e tij të plotë se do të angazhohet edhe më tutje për të bashkëpunuar me institucionet përkatëse qeveritare, por edhe me komisionet dhe grupet parlamentare për të gjetur një zgjidhje të përballueshme për mundësitë buxhetore të shtetit të Kosovës, por edhe që i trajton në mënyrë të dinjitetshme të gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit dhe jo vetëm.

Limaj theksoi se e mirëkupton situatën rreth grevës, por për faktin se dëmtimi i procesit mësimor është dëmtim i të ardhmes së vendit tonë, tha se pret nga SBASHK-u që të reflekton, në mënyrë që të zgjidhim këtë çështje përmes dialogut dhe rrugëve institucionale, në të cilat beson më shumë.

Edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në këtë takim ka folur rreth gjendjes se krijuar, ku e ritheksoi se janë kundër grevës për faktin se si e tillë e dëmton procesin arsimor dhe sjellë pasoja të mëdha për nxënësit tanë, të cilët nuk janë fare fajtor për këtë situatë. 

Bytyqi theksoi se MAShT-i është angazhuar shumë rreth kësaj çështje, madje edhe në bashkëpunim me SBAShK-un, e ku veçoi kërkesën e MAShT pranë Ministrisë së Administratës për ngritjen e koeficienteve për të gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit në projektligjin për pagat, ku pas kësaj kërkese ka pasur një rritje të lehtë të këtyre koeficienteve por jo aq sa e meritojnë të punësuarit në arsim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mini-afati kalimtar dimëror për hendbollistë fillon nesër (e martë) dhe…