Limaj: Serbia të reflektojë, pavarësia e Kosovës është temë e mbyllur

18 maj 2018 | 19:07

Pavarësia e Kosovës është çështje e mbyllur dhe Serbia duhet ta pranojë këtë realitet. Kështu është shprehur zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj në konferencën e organizuar në Zagreb me temën “Përvoja e shteteve të Ballkanit në zgjidhjen paqësore të konflikteve”.

Në këtë konferencë Limaj ka theksuar se Republika e Kosovës ka marrëdhënie shumë të mira me vendet fqinje, dhe është e përkushtuar të ketë edhe me Serbinë.

“Është koha që edhe Serbia të luajë rol konstruktiv dhe ta pranojë realitetin e krijuar në Kosovë, si parakusht dhe mundësi për rajonin që të ecë përpara. Çështja e pavarësisë së Kosovës është temë e mbyllur dhe këtë e di e gjithë bota. Është koha që edhe Beogradi të reflektojë dhe ta pranojë këtë realitet. Me këtë veprim vlerësoj se Beogradi do t’i ndihmonte edhe vetes”, ka thënë Limaj.

Ai ka theksuar se të drejtat e minoriteteve, përfshirë atij serb, janë të garantuara në Republikën e Kosovës, por Serbia duhet të heqë dorë nga pretendimet territoriale.

“Koha e pretendimeve territoriale dhe e shkëmbimeve të territoreve ka përfunduar. Janë teza të rrezikshme dhe as që duhet të konsiderohen si opsion. Këto teza kanë çuar në luftëra të përgjakshme në vitet e ‘90-ta. Koha është që të gjithë së bashku t’i japim mundësi rajonit që të integrohet në familjen e madhe evropiane”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Limaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Italiani Pietro Spera është emëruar Avokat i Popullit i Dhomave…