Linga e komunikimit

08 qershor 2021 | 09:43

 

Dr. Emin Z. Emini, profesor universitar

 

Në organikën e objektit estetik të librit “Linga e heshtjes” të autorit Bujar Salihu identifikohen disa shtresa ligjërimore, figurative e ndjesore të cilat shpërfaqen të bashkëlidhura jo vetëm në dimensionin skematizues strukturor të qenies së veprës, por edhe në bërthamat përmbajtjesore poetike heterogjene. Skema e strukturës ndërtohet nëpërmjet funksionalizimit të numrit shtatë, i cili është pikëtakimi arkitekturor i poezive të sistemuara në shtatë cikle poetike, ndërkaq bërthamat janë produkt i motivacionit krijues poetik.

Akti i vetëdijes subjektive poetit i jep dorë që në ligjërimin e tij poetik, përpos të tjerash, ta përdorë gjuhën e artit pamor, konkretisht gjuhën e ngjyrës duke filluar nga e bardha e deri tek e zeza, të cilat realisht në pikturë s’janë gjë tjetër përveçse sinonim i dritës dhe hijes, përkatësisht e mira dhe e keqja në etikë, apo jeta dhe vdekja si kategori ekzistencialiste. Në këtë ecejake poetike është krejt e natyrshme të hasim edhe ngjyrat e tjera, të shohim një kolorit nëpërmjet të cilit autori ndërton arketipat e imazheve. Arketipat e tilla te recipienti marrin forma e trajta, përmbajtje e përbërje të nduarduarta, gjithnjë me intencën e dhënies së mundësisë së ripërkthimit të tyre në kuptime dontative të ligjërimit poetik, duke tejkaluar kështu, natyrshëm, gjuhën si mjet me funksion konotativ. Autori ndërton perspektiva të veçanta perceptimi dhe ato në disa raste i shoqëron me ide e koncepte dhe, në disa raste të tjera, edhe me e qëndrime vetjake jokanonore me qëllim të ndërtimit të tablove sa shpirtërore aq edhe konkrete. Nëpërmjet procesit krijues ai ngre dinstinkcionin ndërmjet reales dhe sureales, utilitares dhe pragmatikës, të vërtetës dhe imanencës së qenies njerëzore për ta sëndërtuar lirinë, të cilat më pastaj i rikomponon për të funksionalizuar shenja të reja komunikuese në raport me vlerat universale të shoqërisë njerëzore, pa harruar sistemin dinamik të artit si veprimtari krijuese estetike.

Arketipat e imazheve poetike nuk janë njëngjyrëshe, siç janë titujt e disa poezive të këtij vëllimi, fjala vjen, siç janë shtatë poezitë e ciklit “Shtatë pamje dhe një legjendë”: E bardhë, E zezë, E përhirtë, E Gjelbër, E kaltër, E kuqe, E verdhë, apo edhe poezia “Dele e zezë”. Ngjyrat në duart e poetit janë mjete, përkatësisht njësi fonologjike dhe leksema autonome, komponimi i të cilave në telajon poetike i hap udhë për ta zbuluar sintezën e të kundërtave dhe, para së gjithash, elementin e ndjeshmërisë dhe ontologjinë e qenies.

Elementi i ndjeshmërisë shpërfaq konceptin për veçantitë etno-psikologjike, socio-kulturore e identitare (të njeriut të këtij nënqielli), siç është cikli “Shtatë letra” dhe shumica e poezive të ciklit “Shtatë herë Shkupi”, apo edhe poezi të tjera të shpërndara nëpër të shtatë ciklet poetike, përfshirë gjithmonë këtu edhe poezitë që për tituj kanë emërvendet, siç janë: Shqipëria, Nishi, Shkupi, Mitrovica Kosova.

Linja ontologjike, ndërkaq, përfaqëson premisat dhe kontekstet e diskursit universal të ekzistencës njerëzore që vijnë nëpërmjet paradigmave shoqërore-historike, por edhe si referenca të të pavetëdijshmes kolektive apo të kulturës dhe kujtesës antropologjike, e që në këtë rast do të veçoja ato poezi që ndërtohen me figura të njohura e mbase edhe të shumëpërdorura jo vetëm në poezinë e letërsisë kombëtare, por edhe gjithandej në letërsitë e huaja, pra figura që vijnë nga mitologjia, letërsia klasike a moderne, apo religjioni, siç janë: Kali i Trojës, Penelopa, Artemida, Itaka, Zoti e ndonjë tjetër.

Duke qenë se në librin “Linga e heshtjes” hapësira dhe koha nuk janë apriori kategori tematologjike e as e subjektit, poeti, sublimon disa bashkësi raportesh të stabilizuatra në aspektin e sintagmave kohore, me ç’rast i ballafaqon shënjuesit kohor duke krahasuar raportin objekt-subjekt, kujtoj këtu poezinë “Hija e qershisë”, të cilit objekt poeti në cilësinë e subjektit lirik i thotë: “Ty të mbaj mend të vogël sa unë pesë vjeç”/ për të vazhduar më pastaj “Ti u rrite kaq shpejt e unë mbeta i vogli yt”, apo poezitë “Fundi i asaj të diele”, “Një e diel si ajo” etj). Bujar Salihu bën edhe të kundërtën, nga përvoja krijuese subjektive fragmenatarizon linjën e temporalitetit dhe nëpërmjet këtij mekanizmi krijon sekuenca kohore adaptibile, të cilat marrin kuptimësi referenciale, madje ndonjëherë dhe kalendarike për krijuesin dhe për vetë subjektin lirik, siç ndodh te poezitë përkushtuese për dëshmorët, heronjtë, personalitetet e ndryshme, për poetët e krijuesit e tjerë dhe, sidomos, këtë segment e gjejmë të poezitë: “Ta kesh atdheun tënd”, “E përjavshme”, “Një natë me shi”, “Dita jote e fundit”, “Buka”, “Vjershë e vashës në vjeshtë”, “Fundi i vjeshtës” etj.

Poeti Bujar Salihu, kështu, nëpërmjet copëzimit dhe rivijëzimit temporal dhe hapësinor ndërton formën e ekzistencës së qenies estetike dhe njëkohësisht me largimin nga ky diskurs përfiton formësimin e strukturës transcendentale mendimore. Prandaj, nëse për Morris – arti është ligjërim për të komunikuar vlera, oksimoroni i objektit letrar “Linga e heshtjes”, pas konsumimit estetik do të lexohet si linga e komunikimit, përkatësisht si cingarja e cila e thyen heshtjen dhe të thërret për bashkëbisedim. Me fjalë të tjera, të flasim nëpërmjet heshtjes. Kjo gjuhë shprehëse, realisht është ajo që Ivan Amstrong Riçards e quan shqisa komunikuese e veprës së artit me recipientin.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Adem Gashi   SPROVË LEXIMI (Librit të Bujar Salihut Linga…