Liria dhe Drenica në aksion

26 korrik 2018 | 13:34

Futbolli i Kosovës do të jetë interesant edhe në edicionin 2018/2019, pasi klubet janë treguar mjaft aktive në këtë afat kalimtar. Madje në ditët e fundit kanë reaguar edhe dy klubet që në shumicën e kohës kanë qëndruar në heshtje rreth afrimeve të lojtarëve, Liria dhe Drenica, të cilat kanë realizuar nga dy transferime mjaft të rëndësishme.

Dy skuadrat që janë goditur më së shumti nga largimet në këtë afat kalimtar, Liria nga Prizreni dhe Drenica nga Skenderaj, janë treguar mjaft aktive ditët e fundit në afatin kalimtar. Në skuadrën e Lirisë ka ndodhur rikthimi i madh i Robert Gjerajt, i cili edicionin e kaluar ishte përjashtuar dhe detyruar të largohet nga klubi për shkak të raporteve aspak miqësore me trajnerin nga Shqipëria, Bledi Shkëmbi.

Gjeraj në pjesën e dytë të edicionit të kaluar e kishte djersitur fanellën e Besës së Pejës, skuadër me të cilën nuk arriti të mbijetonte në Vala Superligë. Të mërkurën skuadra prizrenase, përveç Gjerajt, zyrtarizoi edhe Valon Bytyqin, i cili luan në pozitën e mbrojtësit dhe ishte pjesë e rëndësishme e skuadrës së Ballkanit në garën për t’u rikthyer në elitën e futbollit  të Kosovës.

Aktive ishte edhe Drenica, e cila ka pësuar shumë ndryshime në këtë afat kalimtar. Drejtuesit kuqezi, pasi e blinduan mesfushorin me përvojë të madhe, Taulant Dajakun, e kanë transferuar nga Feronikeli, Qemail Elshanin, i cili në të kaluarën me plot sukses ka luajtur për Drenicën, pastaj edhe për Besën dhe “Nikelin”.

Krahas “Qemës”, Drenica e zyrtarizoi edhe sulmuesin Isa Eminhaziri, i cili ka djersitur fanellën e Gjilanit dhe Feronikelit. Entuziast për kalim në skuadrën e Drenicës është shfaqur sulmuesi Eminhaziri, i cili ka deklaruar: “Falënderoj kryesinë e klubit për besimin e madh të treguar ndaj meje, posaçërisht drejtorin sportiv Tahir Lushtaku, i cili bëri gjithçka që unë të jem pjesë e këtij klubi me traditë. Shpresoj se me ndihmën e shokëve të skuadrës do të bëjmë gjëra të mëdha në këtë sezon. Po ashtu falënderoj kryesinë e Gjilanit për korrektësinë që tregoi ndaj meje dhe ‘Skifterat’ që janë supër tifozë. Për gjërat e tjera do të flas në fushë”.

 

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, e përjashtoi mundësinë…