Lirohen nga akuza katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2 dhe dy të tjerët për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”

08 nëntor 2022 | 10:57

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka liruar nga akuza katër ish-ministra të Qeverisë Thaçi 2, Mimoza Kusari Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqa, Dardan Gashi si dhe Fllanza Hoxha e Arben Gjuka, të cilët akuzoheshin nga Prokuroria Speciale për korrupsion në rastin e njohur si  “Afera e Hidrocentraleve”.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast është bërë të martën në Departamentin Special të kësaj gjykate nga kryetar i trupit gjykues, Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, palët e dëmtuara Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Qeveria e Kosovës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj po akuzohet se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtarë të KQP-së, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim.

Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Të njëjtën ditë, vazhdon aktakuza, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par4.

Sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi është 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.

Me këto veprime, PSRK i ngarkon këta të akuzuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

PSRK e akuzon edhe Fllanza Hoxhën, se në cilësinë e menaxheres në projektin e privatizimit e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, i ka tejkaluar kompetencat e saj ashtu që edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek kompania “Limak-Calik”, gjenden edhe hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike dhe duke qenë në njohuri se të njëjtat nuk duhet të privatizohen, nuk ka vepruar konform detyrave të veta.

Për më tepër, sipas aktakuzës, Hoxha ka dhënë pëlqimin që një veprim i tillë të ndodh, veprim me të cilin ka dëmtuar interesat e KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar, ashtu që vetëm si qira mujore vlera dëmit ka qenë 1,054.000.00 euro ndërsa dëm tjetër është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, dëm i cili vazhdon edhe më tutje të shkaktohet në mënyrë të përhershme.

Me këtë, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo detyrës zyrtare.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohet edhe Arben Gjukaj, i cili sipas PSRK-së, duke vepruar në cilësi të Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se katër hidrocentrale gjeneruese të energjisë elektrike nuk është dashur të privatizohen sepse ia ndalon baza ligjore, i njëjti as nuk ka ndaluar e as nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ato asete të ngelin në kuadër të KEK-ut.

PSRK akuzonte edhe Fadil Çitakun se në cilësi të kryesuesit të Bordit të KEK-ut, si dhe Mujë Rugovën, Agim Nikën, Flamur Keqën dhe Izet Ibrahimin në cilësi të anëtarëve të Bordit të KEK-ut, se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ashtu që edhe pse kanë qenë në njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen janë edhe katër hidrocentrale, që do duhej të mbeteshin në kuadër të KEK-ut, të njëjtit më 15 tetor 2012, kanë miratuar njëzëri që një veprim i tillë të ndodh duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar.

Për këtë arsye, të njëjtit akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Për lejimin e kalimit të katër hidrocentraleve në fjalë nga KEK tek kompania “Limak Calik”, në mënyrën të kundërligjshme sipas PSRK-së, akuzoheshin edhe ish-kryesuesi i Bordit të KKDFE-së, Gani Jashari si dhe anëtarët e Bordit të KKDFE-se, Burim Basha, Gelor Shala, Naim Hyseni dhe Avni Alidemaj.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi që edhe pse kanë pasur njohuri se hidrocentralet në fjalë është dashur të mbesin edhe më tutje në pronësi të KEK-ut, nuk kanë vepruar konform përgjegjësive të tyre si dhe kanë lejuar që transferimi të ndodh edhe pse e kanë pasur obligim të mbrojnë interesat e kompanisë së sapoformuar.

Prokuroria e akuzonte edhe Besnik Hazirin se në cilësinë e personit zyrtar, koordinator për shthurje të KEK-ut, me qëllim që t’i mundësojë çfarëdo përfitimi pasuror dhe t’i shkaktojë dëm personit tjetër, i ka tejkaluar kompetencat e veta, pasi që nga detyra që ka pasur për finalizim të aseteve dhe inventarit nga KEK në KKDFE, nuk i ka trajtuar hidrocentralet e dhëna me koncesion edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek “Limak-Calik”, gjenden edhe katër hidrocentralet në fjalë duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisës së Kosovë.

Me këtë, Haziri akuzohej se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, akuzohej edhe Krenar Bujupi, i cili sipas PSRK-së, si anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe i deleguar në Komitetin Qeveritar të Privatizimit i ka tejkaluar kompetencat e tij duke e pranuar marrëveshjen për transferim të aseteve mes palëve KEK, KKDFE dhe më pas tek “Limak-Calik”, si të ligjshme përkundër faktit se Ligji për ZRRE, neni 35, par4 e ka ndaluar një veprim të tillë.

Kësisoj, me këtë veprim të tij, Bujupi, akuzohej se ka keqpërdor pozitën e tij zyrtare, ashtu që sikurse edhe të akuzuarit tjerë, i kanë shkaktuar dëme që kapin shifrën e milionave, KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar të saj. /BetimipërDrejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xavi Hernandez nuk ka kursyer lëvdata për ish-rivalin e tij…