Liverpooli, Roma e Marseille në provën e radhës në Ligën e Evropës

05 tetor 2023 | 11:56

Spektakli dhe emocionet e futbollit të Ligës së Evropës do të rikthehen sot (e enjte).

Pas një pauze dyjavore, një nga kompeticionet më të rëndësishme të kontinentit do të luajë aktin e dytë të përballjeve, pas surprizave të shumta në ndeshjet e para të edicionit 2023/24.

Emrat e mëdhenj të kontinentit si Liverpooli, Roma dhe Marseille do të zbresin sërish në fushën e lojës për të hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt kualifikimit.

Programacioni do të jetë i larmishëm dhe transmetimi do të startojë që në 18:45 për të ngritur siparin me një ndeshje tejet interesante si Sporting-Atalanta. Përballen me njëra-tjetrën dy skuadrat më të mira të Grupit D, që e nisën mbarë rrugëtimin evropian me fitore në ndeshjet e para. Në Lisbonë synohet vazhdimësia nga të dyja skuadrat që aplikojnë një stil të bukur loje dhe e sigurt është që emocionet nuk do të mungojnë.

Një ndeshje ku dominon stili i lojës ofensivë ia lë vendin një tjetre në 18:45 sic është takimi mes Marseille dhe Brighton. Skuadra angleze e drejtuar nga De Zerbi ka spikatur jashtëzakonisht në Premier League me lojën atraktive, por kualitetin duhet ta vërtetojë edhe në Europë. Eliminimi nga Carabao Cup dhe disfata në ndeshjen e parë ndaj Aekut të Athinë duhet të shërbejë si motivim ekstra për të dhënë maksimumin në këtë përballje. Gjithsesi, për The Seagulls asgjë nuk do të jetë e lehtë ndaj Marseille, që tanimë drejtohet nga Gennaro Gatusso, me ish-mesfushorin që do të synojë ta nisë me sukses me marsejezët dhe të prevalojë ndaj homologut të tij italian, Roberto de Zerbi.

Takimet e orës 18:45 ofrojnë prezantimin e duhur me një mbrëmje evropiane që do të kulmojë me sfidat e orës 21:00 të Liverpoolit dhe Romës.

Liverpool do të presë në Anfield skuadrën belge të Union Sainte-Gilloise dhe do të kërkojë të dytën fitore në po kaq ndeshje. The Reds triumfuan me përmbysje në takimin e parë ndaj austriakëve të Linz dhe nuk dëshirojnë t’i lënë vend surprizave në Angli. Union Saint-Gilloise nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në ndeshjen e parë ndaj Toulouse dhe për momentin mban vendin e dytë në grupin E.

Roma e Jose Mourinhos kërkon të konfirmojë ecurinë e mirë me anë të një tjetër fitoreje. Verdhekuqtë fituan ndeshjen e parë ndaj Sheriff Tiraspol me shumë vështirësi, ndërsa në Olimpico do të presë modestët zviceranë të Servette, për të kryer me sukses formalitetin e radhës. Një ndër objektivat kryesorë të finalistëve të sezonit të shkuar është të kryejnë një tjetër rrugëtim të ngjashëm, me Mourinhon që ka ambicien e madhe të afirmojë statusin e tij prej fituesi në Evropë.

Përgjatë mbrëmjes dhe në të dyja fashat e orareve 18:45 dhe 21:00 nuk do të mungojë transmetimi i Golave Direkt, përmbledhja e golave, rasteve dhe episodeve më të mira në secilën ndeshje evropiane.

Përpos ndeshjeve më të mira dhe Golave Direkt, nuk do të mungojë dhe emisioni i Europa League, me analizën speciale të të ftuarve para dhe pas ndeshjes.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka…