Lladrovci bën thirrje për kujdes, pas shtimit të rasteve me Covid-19 në komunën e Drenasit

06 korrik 2020 | 19:28

Pas përkeqësimit të situatës me raste të reja të infektimit me covid-19, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i është drejtuar qytetarëve për më shumë kujdes.

Ai ka kërkuar nga qytetarët të respektojnë vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për kujdes të shtuar dhe respektim të plotë të vendimeve të sjella nga ato, për luftimin dhe evitimin e përhapjes së virusit.

Postimi i plotë i kryetarit Lladrovci në Facebook:

Qytetarë të nderuar të Drenasit,

Në javët e fundit, për fat të keq, janë rritur rastet e qytetarëve të prekur me COVID-19 në komunën tonë. Kjo na obligon të shtojmë përgjegjësinë dhe të kujdesemi edhe më shumë për shëndetin.

Për të gjitha këto raste të konfirmuara me virus nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që ta parandalojmë përhapjen e infeksionit.

Gjatë gjithë kohës, bashkë me akterët tjerë, jemi angazhuar që të sigurojmë zbatimin e masave dhe rekomandimeve të IKSHP-së, por duhet edhe bashkëpunimi i madh qytetar që ta ruajmë shëndetin e familjes dhe shoqërisë, pasi virusi po merr edhe jetë njerëzish.

Me pikëllim kam marrë lajmin për vdekjen e veteranes së arsimit, mësueses nga Drenasi, Hajrie Rrecaj e cila vitet e fundit mësimdhënien e ushtronte në Prishtinë. Sinqerisht ndjejmë keqardhje dhe i bashkohemi dhimbjes së Familjes së saj.

Sot, gjithashtu kemi ftuar mbledhje të Shtabit Lokal Emergjent dhe Qendrës Operative Emergjente, ku jemi njoftuar me situatën aktuale shëndetësore dhe veprimeve që duhet ndërmarrë pas vendimeve të reja të instancave madhore shëndetësore.

Të gjitha masat që do t’i ndërmarrim, janë në funksion të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve tanë dhe duhet të zbatohen.

Kujdesi higjienik, distanca dhe maskat mbeten format më të efektshme se si të parandalojmë përhapjen e virusit.

Ju lutëm të respektoni masat e nivelit qendror dhe rekomandimet e IKSHP-së.

Mbroni shëndetin tuaj, të familjes dhe shëndetin publik.

Maskat#Distanca#Shëndeti

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në orët e pasditet ka ikur nga Qendra Edukuese Korrektuese…