Lladrovci: Fatmir Limaj i mungonte Drenasit dhe PDK-së, kërkesat për fotografi me të ishin të shumta
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vlerësuar lart praninë e Fatmir Limajt në një tubim zgjedhor të PDK-së në Drenas, duke thënë se ai ishte ndër figurat që tërhoqi më së shumti vëmendjen e qytetarëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lladrovci ka treguar se pas tubimit zgjedhor ka zhvilluar takime dhe biseda me bashkëpunëtorë, miq dhe mysafirë të shumtë, ku është diskutuar për fushatën dhe optimizmin që, sipas tij, po mbretëron në Drenas dhe në gjithë Kosovën për fitoren e PDK-së.
Sipas tij, prania e Fatmir Limajt krijoi një atmosferë të veçantë në Sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, ndonëse nuk ishte pjesë e programit si folës apo në promovimin e kandidatëve për deputetë.
“Fatmiri i ka munguar simpatizantëve dhe anëtarësisë së gjerë në Drenas, andaj kërkesat për fotografi me të ishin të shumta, si rrallë ndonjëherë. Ky fakt flet shumë, kjo tregon se Fatmiri është i mirëseardhur”, ka shkruar Lladrovci.



