Lladrovci i përgjigjet ministrit Çeku rreth Stadiumit Nacional, e quan “të padijshëm”

15 prill 2022 | 17:16

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili ka cekur se “fati i politikave të sportit, nuk do të jenë në duar të Ramiz Lladrovcit”.

Lladrovci me këtë rast, e ka quajtur Ministrin e Sportit “të padijshëm”, duke ia renditur faktet rreth procedurave dhe duke e kontestuar pretendimin e Ministrit rreth Stadiumit Nacional.

“Fati i politikave të zhvillimit të sportit, nuk kanë qenë në duart e mia, as kam pretenduar as pretendoj të jenë. Por, cinizmi i Ministrit kur lakohet emri im, është fytyra e vërtetë e paditurisë”, ka shkruar në reagimin e tij, Ramiz Lladrovci.

Reagimi i plotë i Lladrovcit:

Padija e Ministrit të Sportit!

Me keqardhje përcolla intervistën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili dëshmon padijeninë e tij rreth Stadiumit nacional dhe emrit tim ia atribuon cinizmin e pamerituar.

Keqardhja ka të bëj me padijen e ministrit Çeku rreth procedurave dhe kompetencave rreth ngritjes së Stadiumit nacional në Drenas.

Se sa i padijshëm për sportin është ministri Çeku, ia sjell në vëmendje disa fakte:

Padituria e parë është pretendimi i tij se është bërë vetëm “studimi i fizibilitetit”, nuk qëndron.

Fillimisht, është bërë shpronësimi i pronave private dhe publike nga niveli qendror, që buxhetit të shtetit  i ka kushtuar miliona euro. Komuna këtë pronë më sipërfaqe mbi 25 hektarë (253693 m2) e ka kaluar në emër të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport me kërkesë të saj, me dedikim “Stadiumi Kombëtar i Kosovës” sipas certifikatës së pronësisë. Gjithashtu, është bërë studimi i fizibilitetit si dhe projekti i stadiumit i cili i ka kushtuar buxhetit të shtetit miliona euro.

Pra, MKRS ka përfunduar të gjitha procedurat, ka marr vendim në qeveri për ndërtimin e stadiumit, ka bërë fizibilitetin e lokacionit, ka bërë shpimet e tokës dhe ka finalizuar projektin për stadiumin kombëtar të Kosovës në Drenas.

Për ta demantuar “vendimmarrjen partiake dhe politike” të ministrit të Sportit, ia sjell në vëmendje procedurat:

Vendimi i parë Kryeministrit të atëhershëm Thaçi për ngritjen e Stadiumit Kombëtar në Bërnicë, nuk ka të bëj fare me vendim partiak as politik (për përfitime politike), ndryshe, do ta propozonte ndërtimin në Drenicë, jo në Bërnicë. Ndërsa vendimi si i tillë, është normalisht politik.

Vendimmarrja në fuqi për Stadiumin kombëtar në Drenas, është sjellë në kohën e Kryeministrit Haradinaj (Dukagjin).

Pra, është padije e madhe të ceket se vendimi për vendndodhjen e stadiumit në Drenas ka të bëjë me “zonën elektorale” apo për “përfitime politike”.

Çdo vendim për një projekt të tillë, është dhe do të jetë politik por jo edhe për “përfitime politike” .

Po të shihet në këtë rrafsh, edhe anulimi i procedurave për Stadiumin Kombëtar është vendim politik. Ashtu siç u morën vendimet politike për Liqenin e Vërbovcit, vendimi për rrugën me katër korsi Skenderaj-Drenas-Komoran, projekte të cilat nuk po zhvillohen dhe janë në dëm jo vetëm të Komunës së Drenasit.

Po ashtu, nuk befasohem me deklarimet kategorike të ministrit Çeku. Nuk është gjë e re shkelja e Kushtetutës nga subjekti të cilit i takon Ministri, as nuk është gjë e re shkelja e ligjit, prandaj, kjo arrogancë, është konfirmim kategorik se “ai proces nuk do të vazhdojë”.

Nga biografia e Ministrit, një gjë bie në sy, mungon “kontributi” i tij për sport. Fjala “sport” i përmendet vetëm për titullin e postit politik që bart, pa asnjë kontribut tjetër për sportin.

Një gjë është e ditur, Kosova ka nevojë për Stadium kombëtar e vendi ideal është vlerësuar Drenasi.

Fati i politikave të zhvillimit të sportit, nuk kanë qenë në duart e mia, as kam pretenduar as pretendoj të jenë. Por, cinizmi i Ministrit kur lakohet emri im, është fytyra e vërtetë e paditurisë.

Nuk e fsheh, po të mos kyçesha në aktivitetin politik, atëherë kur ka lindur Ministri i Sportit, do të bëhesha futbollist. Por, dëshirën time e kanë realizuar dy djemtë e mi futbollistë, të cilët pos futbollit, janë të ndershëm dhe atdhetarë që e duan shtetin dhe kombin.

Për fund, Ministër, nëse deklarimin tuaj dëshironi të bëni realitet, atëherë të sugjeroj të kompletosh dosjen, sepse do të ballafaqohemi në gjykatë.

Për të vërtetuar se Ministrit i mungojnë informatat për këtë projekt, bashkangjitur gjeni disa prej dokumenteve relevante.

Ramiz Lladrovci

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i është përgjigjur…