Lladrovci vlerëson diasporën dhe demonstratën dyjavore në Gjenevë, më 19 maj 1990

01 dhjetor 2021 | 23:59

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në Gjenevë ka vizituar sheshin ku u zhvillua demonstrata e famshme dyjavore, nga 19 maji deri më 2 qershor 1990, ku rreth saj, ai thotë se ka kujtime krenare.

Lladrovci ka vlerësuar demonstratën, peticionin nga kjo demonstratë si dhe diasporën.

Ai ka shkruar se “Këtu u dëshmua qëndrueshmëria e kërkesave tona, kundër shtypjes dhe gjenocidit që ushtrohej në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare nën okupim në ish Jugosllavi.
Më e rëndësishmja nga kjo demonstratë para OKB-së, ishte peticioni që u nënshkrua për njohjen e të drejtave të popullit shqiptar në Jugosllavi, me 26 mijë nënshkrime. Diaspora jonë në këtë kohë po fuqizohej dhe bëhej unike në kërkesat e saj, po dëshmonte pjekuri dhe gatishmëri për luftën çlirimtare që do të vinte pas disa viteve. Diaspora ka qenë dhe mbetet krenari jona”.

Postimi i plotë i Ramiz Lladrovcit:

Vizita në Sheshin e Gjenevës, më ktheu në kujtimet e mia krenare, të kohës së përgatitjes së opinionit evropian për të drejtat tona, historinë tonë tragjike, nën okupim. Në Sheshin e Gjenevës, në protestën e organizuar nga LPK, Fazli Veliu, Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Bardhyl Mahmuti, Gafurr Elshani, Sabri Kiçmari dhe atdhetarët tjerë mërgimtarë, kam qenë i vetmi përfaqësues nga Kosova, që dërgova komunikatën me qëndrimet e LPK-së brenda vendit, për demonstratën.

Komunikata ka qenë e shkruar në palloma, pasi që kisha për detyrë të kaloja disa kufij me pasaportë të huaj. Nga palloma, teksti është rishkruar nga Emrush Xhemajli dhe është lexuar në këtë demonstratë madhështore, si komunikatë zyrtare dhe mesazh nga atdheu i robëruar.

Prej asaj demonstrate, kam shkuar në Kopenhagë në demonstratën një ditore, më 9 qershor 1990, dhe nga aty, kam shkuar në Lubjanë në shënimin e një vjetorit të gazetës historike “Alternativa”, më 21 e 22 qershor. Këtu u njoftova se ishin liruar edhe tre të burgosurit e fundit politik që po vuanin në Kroaci, Tahir Hani, Zaim Beqiri dhe Fehmi Lladrovci. Lajmin e mora nga Pajazit Jashari, po ashtu ish i burgosur politik.

Në sheshin e Gjenevës, para selisë së OKB-së, pas gati 31 vitesh, me emocion e kujtoj demonstratën shembullore që zgjati nga 19 maj deri më 2 qershor 1990. Në këtë demonstratë, me rëndësi të veçantë, morën pjesë dhjetëra mijëra kurbetçarë dhe zgjati dy javë pa ndërprerje. Këtu u dëshmua qëndrueshmëria e kërkesave tona, kundër shtypjes dhe gjenocidit që ushtrohej në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare nën okupim në ish Jugosllavi.

Më e rëndësishmja nga kjo demonstratë para OKB-së, ishte peticioni që u nënshkrua për njohjen e të drejtave të popullit shqiptar në Jugosllavi, me 26 mijë nënshkrime. Diaspora jonë në këtë kohë po fuqizohej dhe bëhej unike në kërkesat e saj, po dëshmonte pjekuri dhe gatishmëri për luftën çlirimtare që do të vinte pas disa viteve. Diaspora ka qenë dhe mbetet krenari jona.

Dua ta falënderoj nga zemra z. Besmir Ibrahimin që na e mundësoi ta vizitojmë sheshin dhe selinë e OKB-së dhe na shoqëroi gjatë qëndrimit në Gjenevë. Besmiri është model për të rinjtë tanë, arritjet dhe integrimin në shtetin mikpritës.

Djalë i jashtëzakonshëm, me vlera të çmuara atdhetare e profesionale. Po ashtu, falënderoj edhe Blerim dhe Bekim Hoxhën. Faleminderit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për marrëdhëniet…