LLOGARITË E PA PAGUARA

23 shkurt 2020 | 13:39

Blerim MURIQI

Koha ka ecur përpara dhe Vetëvendosja tashmë është në pushtet. Ajo e deshi pushtetin me çmimin e çdo premtimi, me çmimin e çdo angazhimi. Mjaftonte të kapej çkado që mund të shfrytëzohej dhe të teprohej pa merak edhe deri në shpërfytyrim! Kjo qe Vetëvendosja e kauzave, e një dëliri pafre deri sa provonte të na bindte se ajo vet e kishte shpikur edhe bashkimin kombëtar. Ajo në fakt dhe nuk kishte faj, se populli ynë e kishte tumirë një herë një çmendi të tillë, atribuuar Ibrahim Rugovës, edhe pse mijëra vite burgje e përpjekje të veprimtarëve ishin aty në qafën e historisë, para se atij t’i shkonte fati i një dekade dhe një populli në pjatën e servirur. Megjithatë, atij i shkoi edhe pjata e servirur edhe aureola e hyut, paçka se fatin e popullit e nëpërkëmbi deri në braktisje.

Edhe tani që liria ndritë në nurin e heronjve dhe veprimtarëve luftëtarë, Vetëvendosja doli luftëtarja e paepur e bashkimit dhe syri vigjilent i atdheut, andej e këndej Drinit të Agollit! Kujtdo, rendja pas bashkimit kombëtar në pakohën e rrethanave që determinonin pozicionin tonë ndërkombëtar mund t’i dukej Don Kishotizëm, por ajo nuk doli të mbetej një kofi pas të vjelave edhe në tapetin e brendshëm politik. Në luftën e brendshme ajo voli shumë dredhëza me çka mbushi krojshen e ëndrrave të z. Kurti nëpër kutitë e votimit.
Jeta politike po ndërtohej në vitet e pasçlirimit të Kosovës nëpër halle, kur bashkësia ndërkombëtare me vështirësi të madhe po bënte përpara dhe po e pengonte hapin tonë. Ata po hamendeshin ta pranonin të vërtetën e Kosovës. Pafuqia jonë, para tyre, kërkonte një ecje mbi vezë! Në rrethanë të tillë lindi Vetëvendosja. Albin Kurti si aset politik veçse ishte hedhur në skenë përmes një organizate joqeveritare të quajtur KAN. Më 12 qershor 2005 fillon kalvari i një përpjekjeje në terma Makiaveliste për të kapur drejtimin e shtetit, pushtetin. Atë që do t’ia arrijë kësaj vjeshte që kemi lënë pas dhe sot drejton vendin!
Që më parullën e pare “JO NEGOCIATA, VETËVENDOSJE” tereni politik u hap dhe KAN-i u shndërrua nga një shoqatë në një organizatë politike që më pas u quajt si vetë preludi i parullës në ndërtesën e UNMIK-ut; VETËVENDOSJE!
Një popull i dalë nga pushtimi i gjatë, i cili nuk po lihej të çante rrugën e tij të lirisë e idealeve, për fajin e vetëm se lirinë e kishte fituar me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, po kufizohej për autonominë vepruese të tij. Për këtë, ai kishte shumë jorealizime për të mos thënë dështime! Gjithë ato pengesa që gjeopolitika ndërkombëtare ia bënte pushtetarëve tanë, Vetëvendosja i bëri kauza të saj! Duke mos çarë kokën për përgjegjësinë që do duhej të kishte secili, ajo ia doli të rrënonte çdo autoritet të pushtetarëve dhe veçanërisht të atyre që kishin dalë nga lufta çlirimtare (për këtë ajo gjeti aleat të çmuar brenda vetë asaj shtrese, deformimin zhvatës të saj).
Tashmë, partiotizma dhe shpresa e bashkimit kombëtar me nevojën për të jetuar e bërë politika pa tutorët ndërkombëtarë, u bënë tereni ku Vetëvendosja e ndërtoi shpresën e gjithëmundshme. Bazuar në ofertën që ofroi nëpër vitet e rritës së saj, ajo sot është e veshur me pushtet përmes asaj gjithçkaje që premtoi. Mjetet që përdori në luftën e saj të gjatë për ardhjen në pushtet do të themi sot se ishin të ashpra dhe të papranueshme. Ajo, tashmë, i ka braktisur që të gjitha kauzat, dhe meqë kanë mbetur vetëm mjete të përdorura për qëllimin ardhje në pushtet, gjërat thonë se do i paguaj të tëra deri me një nga veprimet e opozitës së re!
Vezët që u hodhën mbi Abdullah Hotin janë veçse relike të një kujtese (të vezëve mbi ish-ministrin Kuçi dhe tjerë), të papëlqyer nga opinoni, por që e bënte Vetëvendosjen aq krenare sa shfaqej triumfatore!
Edhe pse Abdullah Hoti nga cilësia e zëvendëskryeministrit të vendit u shpreh për heqjen e taksës, këto janë dhe mbeten politikat e Kryeministrit Kurti. Veja në kokën apo kostumin e Abdullah Hotit është vetë ndërgjegjja e përlyer e Kryeministrit Kurti për braktisjen që u bëri të gjitha kauzave të Vetëvendosjes dhe vetë Albin Kurtit ish-opozitar të lënë në pellgun e dreqosur.
Vezëve që hidhen e përlyejnë e që nuk kanë të bëjnë me Abdullahun as me LDK-në duhet t’u bëjë vend në ndërgjegjen e vet kryeministri i sotëm.
Risjellja e Serbisë në Kosovë përmes heqjes së TAKSËS është një mëkat i barasvlershëm me tradhtinë e secilës kauzë. Këtë Vetëvendosja e di mirë, sepse ajo është rritur e pranuar në popull pikërisht për edhe kauzën e moslejimit të mallrave serbe. Uroj që ditën që kryeministri Kurti të shprehet për heqjen e taksës të gjuhet me shumë vezë, të ketë të tillë që të rrotullojnë maunet me mallrat serbe, që ky të detyrohet ta përdorë atë polici që e pat sakatosur nëpër protestat e dhunës së koordinuar pa pasur fare nevojë.

E quaj dhunë të koordinuar atë që përdorte Vetëvendosja, meqë kauzat për të cilat ajo shprehej ishin edhe kauzat e policisë sonë e të secilit në cilën do anë që ka qenë, pa edhe plakut a fëmiut në shtëpitë më të skajshme të vendit!
Që llogaritë e papaguara të mund të mos bëhen e përsëritshmja që obligon të përsëritet, kryeministri ynë Kurti duhet të kërkoi falje para opinionit për kursin e ndërruar dhe Kauzat e braktisura. Pa e bërë këtë, ai nuk do mundet ta gjejë paqen me veten, dhe as vendi nuk do mundet ta gjejë qetësinë në të cilën duhet të arrihet konsensusi i përgjithshëm politik për çështjet e mëdha, të cilat determinojnë suksesin e dialogut dhe përmbylljen e tij!
Konsensusi, të cilin ai sot duhet ta kërkoi e ndërtoi, është vështirë i arritshëm, por jo i pamundur. Ai nuk e dha asnjëherë atë në gjithë jetën e tij opozitare dhe përfitoj nga rebelimi karshi nevojës për zërin e përbashkët. Masat që pushteti i tij po ndërmerr me shkarkime bordesh, etj., sado drastike e të drejta të jenë, nuk do mbushin boshllëkun e nevojës për vendimmarrjen e harmonizuar për çështjet e mëdha.
Koha nuk pret dhe jemi në hapin e parë. Sikur e kam thënë në një shkrim të mëhershëm, kryeministri Kurti dhe qeveria e tij nuk do munden të rrinë në mes dorëheqjes dhe taksës me reciprocitetin! Heqja e taksës do ta ashpërsojë skenën politike, prej ku mëtojnë të përfitojnë veçanërisht dy forca politike AAK-ja dhe PSD-ja. PDK-ja nuk ka rrugë tjetër vetëm se të del në krah të heqjes së taksës edhe pse modalitetet e tyre mund të jenë disi të mjegullta. Megjithatë, ata ashtu sikur janë të zënë peng nga fati i Presidentit Thaçi në gjithë procesin e shtetndërtimit të Kosovës, nuk do të shfaqen anti Grenell. NISMA e mbetur në diabolikën e vet nuk ka forcë të zëroi ndonjë zhurmë.
Nuk janë vetëm vezët që janë llogari të hapura, ka gaz e mikrofona të shkulur, ka nxjerrje prej makinave e pengesa fizike deri edhe te pengesat e hyrjeve në lokale a në zyra, ka polici për t’u përdorur e kaos për të mbledhur, turma për të qetësuar. Të gjitha këto për kauza aq të mëdha sa janë dhimbjet e këtij populli të bëra bashkë një shekull robëri nën Serbi. Tagri për t’u penguar pikërisht këto kauza është i madh.
Një debat shterues publik për taksën mund t’i merrte edhe disa javë, por në fund të ditës do dilnim të gjithë më të fituar. Me një debat shterues Kryeministri mund t’i ngujonte për një kohë të gjatë të gjitha mjetet që prishin shijen demokratike dhe klimën plurale të vendit.
Fundja vezët, domatet, bilbilat e vuvuzelat, protestat, gazi lotsjellës e molotovët janë mjete proteste për kauzat që i njeh tashmë demokracia dhe i përdorë jeta plurale.
Se a do ketë masë protestuese që do vazhdoi luftën vetëvendosëse për kauzat, mbetet të shohim në ditët në vijim. Diçka dihet tashmë: braktisja e kauzave nga struktura drejtuese e Vetëvendosjes nuk i kanë bërë të paqena ato. Për kauzat o duhet zgjedhje o përpjekje realizimi. Njërën e bënë pushteti, derisa tjetra u mbetet tjerëve! Sikur e ka thënë populli “Çka mbjell, korrë!”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ali Berisha,…