Lobimi për viza të koncentrohet te vendet kryesore të BE-së

13 tetor 2018 | 21:45

Kryetari i Bordit Ekzekutiv të Institutit EPIK, Taulant Kryeziu, ka bërë me dije se mbledhja e Këshillit të BE-së, e cila do të mbahet më 6 dhe 7 dhjetor, do të jetë kruciale për liberalizim të vizave.

Ai i ka ftuar institucionet e Kosovës që deri në atë çast ta koncentrojnë lotimin te vendet kryesore të BE- së për këtë proces.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kryeziu ka thënë se përmes kontakteve diplomatike Kosova duhet të largojë çdo hezitim të vendeve anëtare të BE-së për liberalizim të vizave.

“Lufta e vërtetë diplomatike duhet të koncentrohet te vendet kryesore të BE-së e që në bazë të votimit në Parlamentin Evropian, kemi parë që shtetet si Holanda, Franca dhe Gjermania kanë hezitime, gjë të cilën pak a shumë e kam paralajmëruar tash e shtatë muaj”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka shprehur optimizëm se vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së do të jetë pozitiv.

Megjithatë, Kryeziu i ka ftuar liderët institucionalë të mos japin data për këtë proces ngaqë, sipas tij, vendim politik përfundimtar është i vendeve anëtare të BE-së.

“Unë dua të jem optimist për hir të qytetarëve tanë, të rinisë tonë, të gjeneratave më të moshuara që, së paku, vendimmarrja të përfundojë këtë vit, e që i bie të kemi një vendim të këshillit në përbërje të ministrave të brendshëm apo drejtësisë më 6 apo 7 dhjetor”, është shprehur ai.

Më tej, Kryeziu ka treguar edhe për procedurën e cila ka mbetur të zhvillohet deri në fund të këtij procesi. “Në fund të muajit të kaluar në Kosovë qëndroj një delegacion i COWEB. COWEB është format në nivel të ekspertëve të vendeve anëtare të BE-së, i cili është filtri i parë i vendimmarrjes politike që zhvillohet në kuadër të Këshillit. Pas shqyrtimit në nivelin e ekspertëve të COWEB-it vendimmarrja do të procedohet në nivel të ambasadorëve, në atë çfarë quhet COREPER, dhe krejt në fund kulmon me votimin në kuadër të Këshillit të Ministrave. Këshilli i Ministrave duhet ta miratojë propozim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 me atë që quhet shumicë e dyfishtë, që i bie 55 për qind e vendeve anëtare që përfaqësojnë 65 % të popullsisë”, është shprehur ai.

Kryeziu ka folur edhe për fushatën e institucioneve për qytetarët e Kosovës rreth procesit të liberalizmit të vizave. “Sa i përket fushatës për liberalizmin e vizave, pres që fushata të kontribuojë pozitivisht për informimin e qytetarëve për obligimet që rrjedhin pas marrjes së liberalizimit vizave në mënyrë që të ruhet integriteti i këtij procesi. Mirëpo dëmi që po shkaktohet në sistemin e drejtësisë nuk mund të evitohet me fushatë informues”, është shprehur Kryeziu.

“Epoka e re”: Z. Kryeziu, Qeveria e Kosovës dhe qytetarët janë në pritje të vendimit të Këshillit të BE-së për liberalizim të vizave. Si njohës i integrimeve evropiane, si e pritni këtë vendim?

Kryeziu: Mbledhja e Këshillit të BE-së, e fundit për këtë vit, është më 6 dhe 7 dhjetor dhe do të jetë kruciale për ta jetësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë.

“Epoka e re”: Çfarë duhet të bëjnë institucionet tona gjatë kësaj kohe, në mënyrë që të mos kemi ndonjë surprizë jo të këndshme në fund të procesit? Sa duhet të punohet me vendet anëtare veç e veç?

Kryeziu: Lufta e vërtetë diplomatike duhet të koncentrohet te vendet kryesore të BE-së, që në bazë të votimit në Parlamentin Evropian kemi parë që shtetet si Holanda, Franca dhe Gjermania kanë hezitime, të cilën pak a shumë e kam paralajmëruar tash e shtatë muaj.

“Epoka e re”: Ndonëse Qeveria është e bindur se vendimi do të jetë pozitiv për viza, së fundi janë shprehur disa shqetësime se mund të ndodhë ndonjë shtyrje eventuale e këtij procesi. Janë reale këto shqetësime?

Kryeziu: Për datën e saktë të lëvizjes së lirë do t’i ftoja përfaqësuesit institucionalë që të jenë të përmbajtur dhe të mos rrisin pritshmërinë te qytetarët sepse ky është vendim politik i vendeve të BE-së. Nga ana tjetër, sundimi i së drejtës mbetet një nga sfidat kryesore në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian. Çdoherë kur ne japim shembuj negativë të mosrespektimit të ligjit, siç kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe, ku sistemi i drejtësisë vazhdon të ndikohet nga politika në çdo mënyrë të mundshme, kjo vetëm është hap mbrapa dhe dëshmi që dëmton rënd jo vetëm këtë proces, por tërë projektin tonë për të qenë një ditë vend anëtar i BE-së. Një gjë e tillë është evidentuar dhe rikonfirmuar në të gjitha raportet kredibile ndërkombëtare. Së fundi, edhe draftrezoluta e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) për Raportin e Komisionit për Kosovën 2018 potencoi ngecjet në fushën e sundimit të ligjit. Draftrezoluta e bën të qartë që në procesin e liberalizmit të vizave luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe menaxhimi efektiv i migrimit jo të rregullt, është krucial për këtë proces.

“Epoka e re”: Liderët institucionalë kanë ftuar spektrin politik të jetë unik në qëndrime gjatë takimeve me zyrtarët e vendeve anëtare të BE-së. Shfaqja e diferencave në mes të pozitës dhe opozitës në këto takime, sa mund të ndikojë në këtë proces?

Kryeziu: Në fund të muajit të kaluar në Kosovë qëndroi një delegacion i COWEB-it. COWEB është format në nivel të ekspertëve të vendeve anëtare të BE-së, i cili është filtri i parë i vendimmarrjes politike që zhvillohet në kuadër të Këshillit. Pas shqyrtimit në nivelin e ekspertëve të COWEB-it, vendimmarrja do të procedojë në nivel ambasadorëve në atë çfarë quhet COREPER, e krejt në fund kulmon me votimin në kuadër të Këshillit të Ministrave. Këshilli i Ministrave duhet ta miratojë propozim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 me atë që quhet shumicë e dyfishtë, që i bie 55 për qind e vendeve anëtare që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë. Gjithsesi, unë dua të jem optimist për hir të qytetarëve tanë, të rinisë sonë, të gjeneratave më të moshuara që, së paku, vendimmarrja të përfundojë këtë vit, e që i bie të kemi një vendim të këshillit në përbërje të ministrave të brendshëm apo drejtësisë më 6 apo 7 dhjetor.

“Epoka e re”: Institucionet kanë lansuar fazën e re të fushatës për liberalizimin e vizave, e cila ka për qëllim t’i informojë qytetarët se çfarë është dhe çfarë nuk është liberalizimi i vizave. Nëse ndodh ky proces, pritni që të keqpërdoret nga qytetarët e Kosovës?

Kryeziu: Sa i përket fushatës për liberalizmin e vizave, pres që fushata të kontribuojë pozitivisht për informimin e qytetarëve për obligimet që rrjedhin pas marrjes së liberalizimit të vizave në mënyrë që të ruhet integriteti i këtij procesi. Mirëpo dëmi që po shkaktohet në sistemin e drejtësisë nuk mund të evitohet me fushatë informues, pasi ajo varet nga vullneti politik për t’i dhënë frymëmarrje sistemit të drejtësisë, ku politika nuk ka vend në të. Prandaj, fushata më e mirë do të ishte që politika ta ndërpresë njëherë e përgjithmonë ndikimin në sistemin e drejtësisë dhe ta kuptojë njëherë e mirë që pa drejtësi të pavarur, efikase dhe transparente, me njerëz me kredibilitet, nuk mund ta bindim asnjë kryeqytet të BE-se që ne jemi vend i denjë për të qenë pjesë e klubit evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ju mund të thoni nga sytë e dikujt nëse ndjehen…