
Lodra e të varfrit
CHARLES BAUDELAIRE
Do të doja ta jepja idenë e një dëfrimi të pafajshëm, sepse ka shumë pak zbavitje që nuk janë të dënueshme!
Kur dilni në mëngjes dhe keni ndër mend të bëni një shëtitje në bulevardet e gjera, mbushini xhepat me gjëra të vogla e të lira si për shembull: pulçinela[1] e rrafshët që luhet vetëm me një fije, kovaçi që godet kudhrën, kalorësi me kalë, bishti i të cilit shërben si bilbil. Bëjuani dhuratë këto lodra fëmijëve të panjohur dhe të varfër që do të takoni anash kabareve apo në rrëzë të pemëve. Do ta shihni si do t’i hapin sytë jashtë mase. Në fillim nuk do të guxojnë ta marrin, sepse nuk do të kenë besim te lumturia që po ua zgjat duart. Pastaj do ta rrëmbejnë dhuratën dhe do të largohen si macet që janë mësuar të mos i zënë besë njeriut dhe hanë larg jush copën që u jepni.
Në një rrugë, përtej grilave të një parku të madh, në fund të të cilit shfaqej bardhësia e një kështjelle të bukur të ndriçuar nga dielli, qëndronte një fëmijë i lezetshëm, me pamje të ftohtë, i veshur me rroba të hijshme fshati.
Luksi, moskokëçarja dhe shpalosja e pasurisë, bëjnë që këta fëmijë të duken kaq të bukur, saqë do të kujtonim se ata janë bërë prej një brumi të ndryshëm nga ai i fëmijëve të varfër apo mediokër.
Anash tij, mbi bar, dergjej një lodër shumë e bukur, e lustruar, e praruar, e veshur me një fustan ngjyrë vishnje, e mbushur me pendë dhe me qelqurina dhe me një pamje po aq të ftohtë sa edhe i zoti i saj. Por fëmija nuk po merrej me lodrën e tij të preferuar, ai po shikonte diçka tjetër.
Në rrugë, nga ana tjetër e grilës, midis gjembave dhe hithrave, ai po shikonte një fëmijë të zbehtë, të dobët, të nxirë si bloza, një nga këta çamarrokë të përçmuar tek i cili një sy i paanshëm do të zbulonte bukurinë në qoftë se ashtu si syri i specialistit që zbulon një pikturë me vlerë të mbuluar me vernik karrocieri[2], ai do t’i hiqte shtresën e neveritshme të mjerimit.
Përmes këtyre shufrave simbolike prej hekuri që ndanin dy botë, rrugën e madhe dhe kështjellën, fëmija i varfër i tregonte fëmijës së pasur lodrën e tij, të cilën ky i fundit e shqyrtonte me lakmi sikur të ishte një objekt i rrallë dhe i panjohur. Në të vërtetë lodra, që zhelani i vogël prekte, lëvizte dhe tundte brenda një kutie me tela ishte një mi i gjallë. Prindërit e tij, padyshim për të bërë kursime, i kishin gjetur një lodër që vinte nga jeta e përditshme.
Dhe të dy fëmijët qeshnin vëllazërisht me njëri-tjetrin duke treguar dhëmbët e tyre që kishin të njëjtën bardhësi.
[1] Nga italishtja Pulcinella. Personazh italian i teatrit të kukullave. Lodër prej druri që përfaqëson këtë personazh.
[2] Vernik i lirë që përdorej për t’i lustruar pajtonët.
Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa.
Marrë nga numri 23 i revistës “Akademia”.