Lojërat nëpër rrugët e fshatit

16 shtator 2021 | 10:32

Arif Molliqi

i mbaj mend rrugët

mëngjeset e stinëve që ndërroheshin

lojërat symbyllas

ku fshihesha në kaçakun e qenit plot morra

si të tjerët dhe unë duhej të fshihesha diku

të mos mbetesha gjithmonë i fundit

mbaj mend kur na rrihte gjyshja

pasi trembnim pulën këlleqke në çarranikun e vogël

në arën e fqinjit vidhnim fasule

për një kalavesh rrush të gjithin na merrte rrushagjiu

arrat e Bregut i shkundim me gjithë dushk

edhe sa herë që i ndiqnim pëllumbat

në shkollë shkonim vonë

 

kur erdhën vitet e tjera erdhën kujtime të tjera

më kujtohet se hipnim mbi mollën sherbete

që ta shihnim Rrushen me vajza të tjera

derisa i matnin gjokset e fryra e të bardha

sa e sa herë me shokë i ndanim dashnoret

sa e sa herë jemi rrahur mes vete për Rrushen

kjo është më e mira

kjo më takon mua

na pëlqente të thoshim të gjithë

 

të gjitha i kujtoj dhe zemra sa nuk më plas

kujtimet e vjetruara kur më vijnë pas

Marrë nga libri në dorëshkrim me titull pune “Im atë të shtunave më blinte këpuca prej llastiku”, të cilin do ta botojë shtëpia botuese “Armagedoni”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë muajit gusht, duke e shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”,…