Loredana Zefi: Paratë nuk u morën me mashtrime, por me vullnet të palës tjetër (Video)
Rep-artistja Loredana Zefi gjatë ditëve të fundit ishte një ndër artistet që u përfol më së shumti në Kosovë dhe Zvicër. Këngëtarja shqiptare ishte arrestuar dhe më pas liruar nga autoritet zvicerane me dyshimet se e ka mashtruar, zhvatur dhe kërcënuar çiftin zviceran. Këtyre të fundit ishte raportuar se biondina u kishte marrë rreth 900 mijë franga zvicerane.
Por, të premten në një konferencë për media në Prishtinë, Loredana, e cila ishte e shoqëruar edhe nga bashkëshorti i saj, reperi Mozzik, dhe dy avokatët Tom Gashi e Artan Sadiku, ka pranuar se ka marrë para nga çifti zviceran, por ka insistuar se ato para nuk janë marrë as me dhunë e as me mashtrim.
“Pika e parë, me rëndësi është se jam në Kosovë, pasi po e xhiroj një videoklip. Kjo është planifikuar shumë më herët. Përmes medieve jam informuar rreth rastit, por gjërat janë ndryshe. Nuk kam ditur asgjë për këtë rast. Prej asnjë personi nuk janë marrë paratë me mashtrime. Paratë janë marrë me vullnet të palës tjetër. Ajo e ka pranuar dhe e ka bërë me dëshirë”, ka thënë 24-vjeçarja.
Ajo ka treguar se ky rast ka filluar që nga viti 2016, por nuk ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti dhe si janë marrë paratë.
“Kjo gjë ka filluar në vitin 2016, ku unë nuk kam qenë e përfshirë dhe nuk kam ditur asgjë për këtë rast. Më kanë treguar që në vitin 2018 është mundësia për t’u mbyllur ky rast. Unë nuk e di pse nuk është mbyllur. Unë në 2018-n kam qenë në gjendje për të ndihmuar. Nuk më intereson media, as muzika, as asgjë kur është në pyetje familja ime”, ka thënë Loredana Zefi.
Ajo në këtë konferencë ka thënë se, pavarësisht prej raportimeve të medieve se është arrestuar, kjo nuk është e vërtetë, pasi në polici ka dhënë deklaratë, por nuk është arrestuar.
“Rasti do të sqarohet dhe ma merr mendja se këto fjalë kanë për të ndryshuar. Është e vërtetë se kam dhënë deklaratë në polici, por nuk jam burgosur asnjëherë”, ka thënë Zefi.