Lu: Presione dhe ryshfet për shpëtimin e Tahirit

27 maj 2018 | 20:32

Një ditë para seancës gjyqësore në Apel, në të cilën ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të kërkojë lirinë, reagon ambasadori amerikan Donald Lu, duke bërë një paralajmërim serioz.

Lu ka thënë se ka dëgjuar se për rastin e Tahirit është duke ushtruar presion dhe ofruar ryshfet. “Kam dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve”, ka thënë Lu.

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu i bën thirrje shoqërise civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para’. “Askush nuk është mbi ligjin”, përfundon mesazhin e tij ambasadori.

Gjykata e la në arrest shtëpie ish-ministrin e Brendshëm, ndërsa prokuroria kishte kërkuar arrest me burg. Avokatët e ish-ministrit thanë se do e apelonin vendimin dhe do të kërkonin lirinë, raporton “TCh”. Seanca gjyqësore është caktuar mesditën e së hënës, por në prag të saj, në mënyrë të paprecedentë ka dhënë paralajmërimin e tij ambasadori amerikan. Ai flet për presion, kërcënime dhe ryshfet që i është ofruar gjyqtarëve për këtë çështje.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tetë minuta zgjat fluturimi i linjës së re ajrore, e…