Lufta e Orbánit kundër LGBTQI

26 maj 2020 | 09:30

Me një ligj të ri, qeveria Orbán po kufizon të drejtat e njerëzve transgjinorë dhe transseksualë. Ai është një hap i mëtejshëm në luftën kundër gjithçkaje që nuk përkon me botëkuptimin e kryeministrit hungarez.

Ligji nuk erdhi në befasi. Që në fund të marsit – në mes të krizës së koronavirusit – kryeministri i djathtë hungarez, Viktor Orbán, njoftoi se do të shfuqizohej opsioni për të ndryshuar gjininë. Koalicioni i tij qeveritar e miratoi ligjin me dy të tretat e votave në parlamentin hungarez. Ligji parashikon që njerëzit trans- dhe ndërseksualë të mos mund ta ndryshojnë më gjininë biologjike që është regjistruar në regjistrin personal pas lindjes. Sipas ligjit të ri, caktimi i gjinisë “përcaktohet nga gjinia primare ose nga kromozomi” – përgjithmonë.

Protestat e politikanëve të opozitës, të cilët theksuan efektet serioze tek të prekurit, u injoruan. Imre Vejkey, anëtar i partnerit të koalicionit kristian-konservator të Viktor Orbánit, KDNP, tha në prill: “Mendimi i të prekurve nuk ka rëndësi”.

Kritika masive brenda dhe jashtë vendit

Organizatat për të drejtat e njeriut e dënuan me forcë ligjin e ri. David Víg, drejtori i Amnesty International Hungari, tha se vendimi e hedh “Hungarinë përsëri në Mesjetë”.

Tamás Dombos nga shoqata Háttér, një organizatë që bën fushata për të drejtat e pesonave LGBTQI në Hungari, e përshkroi ligjin në një intervistë me DW si “jashtëzakonisht problematik”. Sa herë që të ketë kontrolle të identitetit, transeksualët duhet të zbulojnë transeksualitetin e tyre, thotë Dombos.

Ligji anti-trans shkaktoi gjithashtu kritika masive ndërkombëtarisht. Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic, e quajti ligjin e ri një “goditje në dinjitetin njerëzor të transeksualëve”. Ajo tha se ai bie ndesh me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe organizatat LGBTQI nëpër botë gjithashtu e dënuan ndryshimin në ligjin hungarez. Kundërshtarët e ligjit filluan një fushatë proteste në mediat sociale nën hashtagun #drop33. Në të, ata hodhën në plehra në mënyrë simbolike ndryshimin e miratuar në nenin 33 të ligjit.

Beteja gjyqësore do të zgjasë me vite

Meqenëse ligji nuk është në përputhje me kushtetutën hungareze ose me standardet evropiane të të drejtave të njeriut, “ne do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet”, thotë Tamás Dombos për DW. Háttér i bëri thirrje Presidentit, János Áder, të mos e nënshkruajë ligjin dhe ta paraqesë atë për rishikim në Gjykatën Kushtetuese. Por, si Áder ashtu edhe gjyqtarët kushtetues janë besnikë ndaj kryeministrit Orbán dhe në përgjithësi nuk kundërshtojnë vendimet e qeverisë.

Një tjetër mundësi është të paraqitet një padi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, thotë Dombos. Por ai nuk është optimist: “Një vendim i formës së prerë do të marrë vite, qoftë në Hungari, qoftë në Strasburg. Deri atëherë, transeksualët nuk do të kenë asnjë shans për njohjen ligjore të gjinisë së tyre, gjë që i ekspozon ata ndaj diskriminimit dhe ndoshta edhe dhunës.”

Njerëzit LGBTQI nuk bëjnë pjesë në botëkuptimin e Orbánit

Në fakt, toni i atyre që janë në pushtet në Budapest ndaj njerëzve LGBTQI është ashpërsuar në vitet e fundit. Për shembull, Presidenti i Parlamentit, László Kövér, e krahasoi birësimin e fëmijëve nga çifte homoseksuale me pedofilinë. Pak më vonë, István Boldog, nënkryetar i grupit parlamentar të Fidesz, bëri thirrje për anulimin e Paradës së personave LGBTQI në Budapest. Dhe publicisti pro-qeverisë, Zsolt Bayer, e tha me krenari: “Po, ne jemi homofobë”.

“Me këto deklarata, qeveria dëshiron t’i drejtohet elektoratit të saj, sepse ata kanë parë që ato kanë funksionuar mirë në Poloni”, thotë Tamás Dombos. Ashtu si në Poloni, edhe në Hungari njerëzit LGBTQI, sipas qeverisë, nuk hyjnë në botëkuptimin e krishterë konservator. Viktor Orbán ka theksuar vazhdimisht se Hungaria është një shtet joliberal në sytë e tij, një shtet në të cilin jo të gjithë duhet të jenë në gjendje të jetojnë ashtu siç dëshirojnë.

Menjëherë pas marrjes së detyrës dhjetë vjet më parë, Orbáni e ndryshoi kushtetutën në frymën e tij. Që atëherë ai thoshte se “Hungaria mbron institucionin e martesës si një bashkim midis burrit dhe gruas (…) dhe të familjes, si bazë për mbijetesën e kombit”.

Orbáni ka gjetur një koncept të luftës për gjithçka që nuk korrespondon me botëkuptimin e tij: “Gender”. Termi përshkruan pikëpamjen shkencore se gjinia e një personi përcaktohet jo vetëm biologjikisht, por varet edhe nga ndikimet shoqërore dhe kulturore. Qeveria hungareze nuk e konsideron të domosdoshme hulumtimin e kësaj fushe. Kurset e studimeve gender janë ndaluar. Kohët e fundit, qeveria hungareze e refuzoi të ratifikojë Konventën e Stambollit për shkak të “qasjes së saj të papranueshme” për përcaktimin e gjinisë. “Ne kemi të drejtë të mbrojmë vendin tonë, kulturën tonë, ligjet tona, traditat dhe vlerat kombëtare. Perspektiva gjinore, e cila devijon nga bindja e shumicës (popullsisë), nuk duhet ta rrezikojë këtë,” thuhet në Budapest. /Dw/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Institucionet e Republikës, në koordinim me Bashkësinë Islame të Kosovës,…