Lufta kundër migrimit ilegal: BE-ja do më shumë bashkëpunim nga Ballkani Perëndimor

13 mars 2023 | 14:24

Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i shqetësuar me numrin e madh të imigrantëve ilegalë, të cilët shfrytëzojnë të ashtuquajturën “Rrugë të Ballkanit Perëndimor” për të hyrë në territorin e BE-së, edhe pse disa shifra, sipas Komisionit Evropian, janë në rënie.

Krahas kësaj vazhdon të jetë relativisht i lartë edhe numri i azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos nëse merret parasysh se ato konsiderohen “vende të sigurta”.

BE-ja dëshiron t’i luftojë këto dy fenomene dhe për këtë, thonë në Bruksel, janë duke bashkëpunuar me autoritetet e këtij rajoni.

Problemi më i madh, thonë në BE, është me shtetasit e Shqipërisë, të cilët hyjnë në BE, stacionohen në veri të Francës dhe, pastaj, përmes Kanalit Anglez, kalojnë në Britani të Madhe.

Edhe pse Britania e Madhe nuk është më anëtare e BE-së, ky problem paraqet sfidë edhe për autoritetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, sidomos Francës.

Megjithatë, shqetësimi më i madh në BE, kur bëhet fjalë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka të bëjë me shtetasit e vendeve të treta që përmes këtij rajoni, arrijnë në BE. Numri i tyre është rritur dukshëm në dy vjetët e fundit, duke e bërë këtë rajon ndër rrugët kryesore në Evropë për imigrimin ilegal.

Një prej problemeve, thonë burime në BE, është politika e vizave që disa vende të rajonit kanë për vendet e treta. Qytetarët e këtyre të fundit kanë shfrytëzuar mundësinë e shkuarjes pa viza në ndonjë vend të rajonit, e pastaj ilegalisht kanë kaluar në BE.

Sipas burimeve të Komisionit Evropian, është një numër i madh i atyre që kanë arritur në vendet e Ballkanit pa viza dhe kanë kërkuar azil në vendet e BE-së.

Ndër vendet më problematike në këtë drejtim është Serbia. Atje mund të udhëtojnë pa viza shtetasit nga Kuba, Tunizia, Burundi, Kina, Rusia dhe disa vende të tjera. Dhe, pikërisht, numri i qytetarëve nga këto shtete që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, është rritur.

Këtë e dëshmon edhe rasti i Kroacisë, që ka parë rritje të madhe të azilkërkuesve. Numri më i madh i tyre është nga Burundi, Rusia, Kuba dhe Turqia.

Kroacia është bërë anëtare e BE-së në vitin 2013, ndërsa prej 1 janarit të këtij viti është edhe pjesë e Schengenit – zonë e lëvizjes së lirë në Evropë, në të cilën nuk ekzistojnë kontrolle kufitare mes shteteve. Pra, kur dikush hyn në territorin e Kroacisë, ai mund të lëvizë pa asnjë kontroll në rreth 30 vende evropiane.

Vitin e kaluar, përkatësisht deri në nëntor, numri i atyre që kanë hyrë ilegalisht në Kroaci ka qenë mbi 36.000. Shifra paraqet rritje për afër 150 për qind krahasuar më një vit më herët.

Kroacia ka kufirin më të gjatë të jashtëm të BE-së, në gjatësi prej 1.350 kilometrash, i cili, nga 1 janari i këtij viti, është edhe kufi i jashtëm i zonës Schengen. Andaj, BE-ja kërkon që Kroacia ta rrisë sigurinë në kufi.

BE-ja kërkon edhe nga vendet e tjera të Ballkanit që ta përshtatin politikën e tyre të vizave me atë të Bashkimit Evropian. Këtë, madje, e ka përmendur edhe si kusht për të mbajtur në fuqi liberalizimin e vizave me to.

Të enjten e kaluar, kur është miratuar vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, është përmendur po ashtu bashkëpunimi i Kosovës në përshtatjen e politikës së vizave me atë të BE-së.

Serbia, vendi që, deri më tash, është shfrytëzuar më së shumti si transit për të kaluar në BE, ka premtuar se do ta përshtatë regjimin e vizave. Kjo, sipas zyrtarëve të BE-së, është duke dhënë tashmë rezultate.

Strategji të tjera të bashkëpunimit janë edhe përshpejtimi i procesit të ripranimit dhe bashkëpunimi i autoriteteve të vendeve të rajonit me Frontex-in, agjencinë evropiane për ruajtjen e kufijve.

Frontex, tash e disa vite, ndodhet në kufijtë e vendeve të rajonit me vendet e BE-së, ndërsa tash janë duke u përgatitur edhe marrëveshje, sipas të cilave, do të shtohet prania e personelit të Frontex-it edhe në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Një prej ndryshimeve të rëndësishme është mundësia që personeli i Frontex-it të veprojë brenda territorit të vendeve të rajonit, e jo vetëm në kufijtë e tyre.

Pjesëtarët e Frontex-it do të kenë mundësi që t’i kontrollojnë personat, apo mjetet e dyshuara të transportit jo vetëm në kufirin e Bosnje e Hercegovinës me Kroacinë, por edhe në atë me Malin e Zi dhe Serbinë.

Në BE e shohin këtë si të rëndësishme, sepse, siç thuhet, do të rritet mundësia që të vëzhgohen lëvizjet e imigrantëve ilegalë edhe brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, përpara se ata të hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian.

Disa ministra të Brendshëm të vendeve të BE-së kanë thënë, po ashtu, se do të kërkohet nga vendet e Ballkanit që t’i pranojnë jo vetëm shtetasit e tyre që i dëbon BE-ja, por edhe shtetasit e vendeve tjera, për të cilët dëshmohet se kanë kaluar përmes tyre drejt BE-së.

Në BE thonë se edhe e drejta ndërkombëtare parasheh që imigrantët ilegalë të kthehen në vendin nga i cili kanë hyrë, e që konsiderohet vend i sigurt. Statusin e “vendit të sigurt“ e kanë të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. /rel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmjen e djeshme u mbajt Oscars 2023, një ceremoni që…