LUFTA VIGANE PËR TA MPOSHTUR ROBËRINË

24 nëntor 2022 | 00:04

(Recension për veprën “Rrugëtimi i një vigani” kushtuar Heroit të Kombit Rexhep Malaj, të autorit Agim Sylejmani)

Dr. Afërdita Dervishi

Hyrje
Autori Agim Sylejmani, me këtë vepër dëshmon se si nuk mund të arrihet liria me fjalë, por vetëm me veprim konkret, të atyre veprimtarëve atdhetarë që lirisë ia falin jetën e tyre. Romani “Rrugëtimi i një vigani”, kushtuar Heroit të Kombit Rexhep Malaj, përmes shkronjave dhe shenjave të pikësimit, me të cilat ka krijuar fjalët dhe ka ngjeshur mendimet, dhe kështu ka përshkruar, thuajse në detaje, duke sintetizuar kontributin e jashtëzakonshëm të Rexhep Malajt për atdheun dhe kombin. Ai e ka portretizuar figurën e shokut të tij të idealit, në përmasën e idealistit dhe të veprimtarit të devotshëm deri në flijim, në mënyrë të drejtë, me emocione reale në përputhje me rrethanat e kohës kur ka jetuar dhe vepruar heroi i kësaj vepre.

Roman me skena dhe ngjarje tronditëse

Në rrjedhën e rrëfimit nëpër faqet e kësaj vepre, kryesisht ka ngjarje të rënda, trishtuese si përjetim, të rrëqethin trupin e të mbushin urrejtje, për gjithë ato zezona që u bëhen veprimtarëve të orëve të lirisë. Sidomos, kur këtë e bëjnë një numër shqiptarësh sahanlëpirës, që bukës nuk i thonë bukë, por ndryshe, sepse buka e tyre ishte kafshatë nga privilegjet që u jepte UDB-ja. Ngase, të këtillët, zbraznin gjithë urrejtjen ndaj gjakut të tyre për ato pak para e përfitime të tjera që u jepte pushtuesi. Ata, si kundërshpërblim, bënin çfarëdo që u tekej mbi trupin e të burgosurve, duke u thyer duar e këmbë, vëllezërve e motrave të tyre, shqiptarë, duke ju shkaktuar jo vetëm dhimbje e plagë trupore, por edhe shpirtërore, edhe deri vdekjen. Të vjen të vjellësh kur lexon bëmat e tyre, në emër të bukës së turpit që u jepte pushtuesi, por dihet se edhe sot e gjithë ditën, nëpër institucionet tona shtetërore, disa nga të këtillët ende nuk kanë hequr dorë nga zhvatja, vetëm se tashti kanë ndërruar gëzofin, në emër të kohës që ka ndryshuar dhe ende kanë pozita të larta. Por, siç thotë Ismail Kadare në poezinë e tij të njohur “Terrori në Kosovë” (Vëll.VII, Onufri, 2008, fq.315), kushtuar ngjarjeve dhe bartësve të atyre ngjarjeve në kryengritjen e vitit 1981, ato ngjarje dhe bartësit e tyre i kishte parë globi:
S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur ju griu,
Por retë e globit veq ju panë,
Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.
Duke lexuar këtë vepër, lexuesi ka përshtypjen se e sheh Rexhep Malaj të gjallë e duke vepruar, sepse Agim Sylejmani e ka pasur shok që nga fëmijëria, kanë qenë bashkëveprimtarë në ilegalen shqiptare, janë burgosur bashkë, kanë sakrifikuar bashkë, prandaj edhe janë aq origjinale rrëfimet e ngjarjeve që paraqiten këtu. Në të vërtetë, autorit nuk i është dashur shumë hulumtim nëpër të dhëna për të paraqitur detaje të jetës së Rexhep Malaj, ngase edhe lexuesi e heton se ka pasur aq shumë ngjarje, po ashtu shumë të dhimbshme, të cilat, mendoj se nuk e ka pasur të lehtë t’i sistemojë në këtë vepër, për arsye sepse një pjesë të atyre ngjarjeve dhe bëmave i ka përjetuar në lëkurën e tij, duke qenë bashkëveprimtar i tij në rrugën e madhe të ardhjes së lirisë, si dhe bashkëvuajtës i burgut me heroin që i kushtohet vepra.

Nga rruga e demonstratave deri në rënien për liri

Rexhep Malaj, që në vitin 1968 ishte organizator i demonstratave, kur ishte ende nxënës. Pastaj vijnë burgosjet e një pas njëshme, edhe pas torturave dhe burgut që mbajti 8 vjet, nga 9 sa e kishin dënuar, ai mbetet i njëjti. Familja e Rexhep Malajt asnjëherë nuk e lë vetëm birin e saj duke ju bërë krah në të gjitha lëngatat që i kishte kurdisur jeta nën pushtimin jugosllav. Autori, në veprën e tij ka sjellë episode të ndryshme, ka sjellë ngjarje të asaj kohe të jetës e veprimtarisë së Rexhep Malaj, por edhe të Nuhi Berishës, në një formë të kuptueshme e cila, duke rrëfyer përmes përshkrimit realist bëmat jetësore, si dhe përkushtimin e madh të këtyre veprimtarëve atdhetarë për të përgatitur luftën e ardhshme për lirinë e Kosovës. Fakti madhor i rrëfimit të bëmave të këtilla, nuk është mbështetur vetëm në aktin heroik të rënies së tyre, por ai akt ka ardhur si pjesë e vetëdijshme e rrjedhës së tyre jetësore në shërbim të lirisë së atdheut.
Në veprën e Agim Sylejmanit, një vend me rëndësi zë edhe akti i lavdisë së tyre të përjetshme, momenti i rënies së Rexhep Malaj bashkë me shokun e tij të pandashëm, atdhetarin e madh, Nuhi Berisha, gjatë përballjes me armë në dorë, në Kodrën e Trimave në Prishtinë, në janarin e acartë të vitit 1984, nga plumbat e milicisë jugosllave, ku kishte edhe milicë shqiptarë, në shërbim të pushtuesit. Autori, ka bashkuar dramën me heroizmin, sakrificën me lavdinë, të cilën e arrijnë vetëm ata dhe ato që bien në altarin e lirisë.
Në këtë vepër, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, që të dy dalin të portretizuar me shpirt kryengritës, por, po ashtu, dalin ndër figurat më të ndritura të gueriles në historinë tonë kombëtare. Prandaj, ashtu si i ka portretizuar me shumë kujdes dhe dashuri, edhe autori, Agim Sylejmani, në veprën e tij, ata janë figurat më të spikatura të sakrificës kombëtare për liri.
Autori i veprës “Rrugëtimi i një vigani”, duke shtrirë përshkrimin e tij, në faqet e këtij romani biografik, ka vënë në spikamë frymën e fshehtësisë të ilegales, apo të gueriles, siç do të ishte e drejtë të quhej, mënyrën e zhvillimit të veprimtarisë me të cilën janë shërbyer veprimtarët e lëvizjes çlirimtare deri në fillimin e luftës së armatosur të UÇK-së. Megjithatë, edhe në veprimtaritë e ndryshme gjatë luftës çlirimtare, është ndjekur kjo frymë, në mënyrë që të bëhej i mundur organizimi dhe zhvillimi i një lufte të pastër dhe të drejtë, siç ishte lufta e UÇK-së, e organizuar dhe e udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm, si një komandë e vetme vendimmarrëse.
Në romanin biografik të Agim Sylejmanit, nuk është lënë anash nderimi i lartë që ju ka bërë Kosova, por edhe mbarë shqiptarët, kudo që janë, të dy heronjve, Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, të cilët ranë heroikisht në shërbim të lirisë. Kjo liri do të bëhej realitet me luftën madhore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e mbështetur më pas nga forcat e NATO-s. Ushtria jonë, shembullin dhe idealin e këtyre dy trimave i kishte udhërrëfyes të gatishmërisë për sakrificat e mëdha që kërkonte çlirimi i Kosovës.
Krijuesit shqiptarë, kudo që kanë jetuar dhe krijuar, pas demonstratave të vitit 1981, me ndjeshmëri e kishin të qartë se po përgatitej lufta çlirimtare. Një luftë çlirimtare, që përveç të tjerash, e ka hapur edhe procesin e madh historik të bashkimit kombëtar. Të frymëzuar nga rëniet e trimave në logun e betejave, krijuesit i kanë bërë jehonë këtyre rënieve në emër të idealit të bashkimit kombëtar, për çka kishte dhënë jetën edhe Rexhep Malaj me shokë dhe me pasardhës.
Andej na priret shpirti i fortë me hove
t’dalldisuna ngadhnjimi, ushton jehona:
O vllezën, nalt ju ballin! prej Kosove
deri n’Çamëri Shqipnija asht gjithë jona!
(Arshi Pipa, Kosovës, gazeta “Dielli”, 16 mars 1982)
Heronjtë, që janë temë e këtij romani, me gatishmërinë për t’u flijuar, treguan se kjo tokë, si përherë gjatë historisë, kishte sërish trima që ishin të gatshëm t’ia ngrehin gishtin armës së lirisë në mes të Prishtinës. Prandaj, siç tregoi koha dhe siç argumentohet edhe në këtë vepër të Agim Sylejmanit, ata ishin udhërrëfyesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila si formacion ushtarak i luftës për liri, është themeluar nga LPK-ja, kurse është ngritur si strukturë zyrtare vite më vonë. Ali Ahmeti në një emisionin televiziv thotë se, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha janë pinjollët e themelimit të UÇK’së, (intervistë në emisionin “Pressing”, më 13.6.2018).

Lëvizja e fshehtë kombëtare paraardhëse e Luftës së UÇK-së

Në romanin e Agim Sylejmanit janë trajtuar, disa rrafshe të rrëfimit, por në radhë të parë bëhet fjalë për sakrificën e të rinjve shqiptarë, të përfshirë në lëvizjen e fshehtë kombëtare, për të cilin ishin të gatshëm të jepnin jetën, siç do të provohej, jo vetëm me rënien e dy heronjve, personazhe të këtij romani, por me të gjithë Dëshmorët e Kombit të rënë në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, përveç sakrificës së dy heronjve, Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, në faqet e romanit jepen tablo të gjallë e të të kundërtave historike, që ishin të pranishme në jetën tonë nën pushtim, ngase merrej nëpër këmbë dhe baltosej lëvizja për çlirim kombëtar.
Nuk mjaftonte gjaku i derdhur i dy heronjve, as burgosjet e shumë të rinjve, që të vetëdijesohej njeriu ynë i atyre viteve, sepse nën trysninë e pushtuesit apo për një copë pushtet, kishte shqipfolës që ishin bërë argatë të dreqit, siç do t’i cilësonte simboli i qëndresës sonë kombëtare, Adem Demaçi. Të këtillët, jo vetëm ishin vënë në shërbim të huaj, por ishin bërë edhe ndjekësit kryesor të djemve dhe vajzave të lëvizjes çlirimtare. Përkundër të gjithave, siç e dëshmon edhe qëndresa dhe rënia e dy heronjve, bartës të ngjarjeve të romanit të Agim Sylejmanit, lëvizja çlirimtare në Kosovë, ishte lëvizje e organizuar në forma dhe në grupe të vogla të kohës që kishin karakter kombëtar. Kjo frymë, ky karakter i lëvizjes çlirimtare, nuk mjaftohej vetëm me idealin e çlirimit, ngase synimi i tyre ishte bashkimi i trojeve etnike shqiptare, ashtu siç ishte e drejta historike, në një shtet që quhej Shqipëri. Kjo ishte edhe edukata që kishte marrë Heroi i Kosovës, Rexhep Malaj, si dhe të gjithë veprimtarët e çështjes kombëtare të cilët ishin të vendosur të veprojnë deri në fitore.

Prandaj, siç kanë vërejtur edhe studiues e atdhetarë të tjerë, si fjala vjen Hamit Kokollari, Kosova nuk ka qenë vetëm djep i rilindjes shqiptare, por ka qenë sidomos faktori kryesor i ngjarjeve historike që shkaktuan dhe siguruan krijimin e shtetit shqiptar dhe të lirisë sonë kombëtare. Kosova ka qenë një fushë lufte e përhershme ku shqiptarët kanë derdhur gjakun e tyre shekuj me radhë, në një luftë të dyfishtë, kundër turqve dhe kundër serbo-malazezve.
Hamit Kokollari, Kosova djep i shqiptarizmit, Prishtinë, 2006
Autori i romanit “Rrugëtimi i një vigani”, është njohës i mirë i jetës së Rexhep Malës edhe në burg, ngase ishte bashkëvuajtës në kazamatet jugosllave. Autori, si dihet, ka bashkëpunuar me të, e ka njohur për së afërmi, ka përjetuar qaste të vështira bashkë me të në burg, ka përjetuar orë pas ore ndjenja të përbashkëta dhe janë solidarizuar njëri me tjetrin ashtu siç mund të bëjnë vetëm idealistët e vërtetë. Për të shkruar për heroin Rexhep Malaj nuk është aspak e lehtë, sepse përmasat e figurës së tij shpërthejnë çdo kornizë romani e monografie. Karakteri dhe personaliteti i Rexhep Malës burimin e kanë te tradita e familjes dhe e popullit që e lindi.
Autori në romanin e tij nuk ka paraqitur vetëm jetën personale dhe atdhetare të Rexhep Malës, por edhe realitetin kompleks e shumë të hidhur të Kosovës së robëruar dhe vuajtjet e popullit shqiptar në atë mjedis.

Përfundim

Vepra e Agim Sylejmait, “Rrugëtimi i një vigani”, përveç vlerës letrare dhe historike, bart me vete fakte, ngjarje, dëshmi, personazhe, që janë në shërbim të edukimit atdhetar të brezave, që padyshim janë frymëzim për ta dashur atdheun dhe kombin. Po ashtu, është një material i rëndësishëm për të gjithë ata që një ditë mund të merren me trajtimin e lëvizjes së gueriles shqiptare, duke pasur për bazë faktet e veprimtarisë dhe të jetës së heronjve Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha. Mëtutje, shtohet motivi, duke pasur për shëmbëllim rrugëtimin e të gjithë të burgosurve shqiptarë, të cilët pushteti i ish-Jugosllavisë i dënonte për veprimtari armiqësore.
Një aspekt tjetër, shumë i rëndësishëm, edhe për rrugëtimin tonë drejt luftës për liri, janë edhe shënimet e shumta që ka lënë heroi Rexhep Malaj, në ditarin e tij, të mbajtur me këmbëngulje në burg, ku vlera themelore që mund të mësohet është vetëdija se si duhet atdheu dhe si jetohet me nder, edhe kur njeriu është në pranga. Në anën tjetër, siç është theksuar edhe më sipër, dalin si gogol, për të frikësuar fëmijët, karakteret e atyre shqiptarëve, emrat dhe figurat e tyre, që ishin në shërbim të UDB-së, por që nuk kishin hezituar të torturonin veprimtarët e lëvizjes çlirimtare.
Autori, Agim Sylejmani ka shkruar nëntë vepra deri më tani: “Rrugëtimi i një Vigani”; “Rexhep Malaj, zjarr lufte që nuk shuhet”; “Më shumë se mësues”; “Pergamenë e gjallë“; “Në rrugë drejt lirisë“; “Rrëfime nga burgu”; “Për një atdhe të lirë e të bashkuar”; “Rexhep Malaj në shkresat interne të UDB-së“; “Pranverë e përgjakur”. Poashtu, ai është autor i dokumentarit “Kadri Osmani – një jetë në shërbim të bashkimit kombëtar”. Të gjitha krijimet e tij trajtojnë dëshmorët, veprimtarët dhe veprimtaritë atdhetare, si dhe lartësojnë luftën e lavdishme të UÇK-së. Por, ai nuk është vetëm shkrimtar dhe veprimtar i kohës së gueriles, ai me energjinë dhe vizionin e tij punon pareshtur edhe sot në kultivimin dhe avancimin e vlerave kombëtare në forma të ndryshme dhe i promovon ato përmes medieve të shkruara dhe elektronike deri në SHBA. Agim Sylejmani, është mendjemprehtë dhe i vendosur në rrugëtimin e tij, shumë njerëzor dhe mbi të gjitha është shqiptar i pastër kristal.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Gjilanit Alban Hyseni,…