Luftimet e brendshme në Libi, miliona qytetarë mbeten pa ujë në Tripoli

21 maj 2019 | 13:55

Në kryeqytetin e Libisë dhe rrethinat e tij është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm, pasi një grup i armatosur mësyu dhomën e kontrollit të ujësjellësit, duke lënë miliona njerëz pa ujë në një kohë kur temperaturat po njohin rritje në prag të stinës së verës.

Agresorët e armatosur mbërritën të dielën në dhomën e kontrollit që ndodhet në Jafara, e që drejtohet nga konsorciumi i njohur si projekti “Lumi i madh nga dora e njeriut”, që transporton ujë përmes një rrjeti të gjerë tubacionesh nëntokësore nga Saharaja në Tripoli, një qytet me më shumë se dy milionë banorë, por edhe në zonat e tjera bregdetare.

Grupi detyroi stafin të mbyllte rubinetat e ujit. Ai pretendon të jetë mbështetës i ushtarakut Khalifa Haftar, kreu i Ushtrisë Kombëtare Libiane (LNA). Forcat e Haftarit dominojnë lindjen dhe jugun e Libisë dhe janë përpjekur të marrin kryeqytetin nga qeveria e paktit kombëtar (GNA) të mbështetur nga Kombet e Bashkuara.

Në fakt, lidhjet e grupit të armatosur me Haftarin janë të diskutueshme, pasi disa thonë se ai është duke operuar në mënyrë të pavarur.

Agjencia që mbikëqyr projektin e furnizimit me ujë të pijshëm, që u ngrit gjatë kohës së ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi, këmbëngul se nuk ka mbajtur kurrë anën e dikujt në luftimet civile, por thotë se furnizimi me ujë të pijshëm nuk duhet të shfrytëzohet për interesat e dikujt. “Uji është dhuratë nga Zoti për të gjithë dhe nuk duhet përdorur për të diktuar apo negociuar në çfarëdolloj rrethane”, thotë autoriteti në fjalë.

Si pasojë e sulmit, uji nuk do të mungojë vetëm në Tripoli, por edhe në Gharyan dhe disa qyteza të tjera malore. Ende nuk dihet sesa kohë do të duhet për të rikthyer ujin te qytetarët, por incidenti nënvizon edhe njëherë rrezikun që beteja civile në Libi të kthehet në një luftë të stërzgjatur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja U21 e Kosovës në hendboll do të luajë në…