Lulëkuqja emblemë e gjenocidit mbi shqiptarët

20 dhjetor 2022 | 15:29

Dr. Sc. Salihe Salihu

Në këtë vit u festua 110 vjetorit i shpalljes së pavarësisë por krahas këtij manifestimi nuk duhet të harrohet edhe 110 vjetori i masakrave, të dhunës e gjenocidit kundër shqiptarëve meqë tokat e shqiptarëve u ndanë e u copëtuan për interesa e marrëveshje të atyre që vendosnin mbi fatin e tokave shqiptare. Për këto marrëveshje kurrë nuk u pajtua populli shqiptarë por megjithatë territori i shqiptarëve u nda nga sllavët e grekët të cilët përdorën mjete më barbare për ti asgjësuar popullatën shqiptare që jetonte në trojet e veta.
Lufta shekullore gjenocidale kundër shqiptarëve nuk u ndal as pas nxjerrjes së Konventës për Ndalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (1948) edhe pas kohës së konstituimit të federatës jugosllave.
Pra, përkundër kriminalizimit të gjenocidit në nivel ndërkombëtar veprimet gjenocidale nuk u ndalen mbi popullatën shqiptare. Në Kosovë, pas miratimit të Konventës së lartpërmendur, kryerja e gjenocidit ishte e maskuar deri në vitet 1980 por pas viteve 1980 e veçanërisht pas viteve 1990-ta kryerja e gjenocidit mbi shqiptarët ishte transparente. Veprimet gjenocidale të akorduara drejtpërdrejt nga udhëheqësia e federatës jugosllave kryheshin në mënyrë transparente dhe haptazi luftohej kundër çdo elementi që simbolizonte përkatësinë shqiptare.
Periudha e vazhdimit të kryerjes së gjenocidit u ndërpre nga lufta heroike e UÇK-së dhe NATO-s por gjenocidi i kryer mbi shqiptarët duhet të mbetet në memorien tonë kolektive dhe në arkivat shtetëror. Në përkufizim të të gjitha përjetimeve të shkaktuar nga gjenocidi, masakrat kundër popullatës shqiptare për asgjësim e tyre, dhunimet e spastrimet etnike si dhe shkatërrimet e çdo gjëje që i përkiste etnisë shqiptare është e nevojshme të ekziston në emblemë që kudo që të shihet emblema të kuptohet domethënia e saj.
Mu për këtë qëllim, në komemoracion të dhembjes nga këto vepra gjenocidale, është propozuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” të vendosim legalizimin e emblemës Lulëkuqja – si simbol i gjenocidit të kryer. Të katër petalet e saj përfshinë: vrasjet, dhunimet, spastrimet dhe shkatërrimet gjersa e zeza në mes të Lulëkuqes përfshinë të gjithë që pësuan nga gjenocidi, pa dallim moshe e gjinie.
Me emblemën e Lulëkuqes ne do të radhitemi si vendet tjera që vepruan dhe u angazhuan për të dëshmuar gjenocidin e përjetuar deri në pranimin dhe ndëshkimin e kryerjes së veprave gjenocidale. Popujt tjerë që kanë pësuar nga gjenocidi me emblemë që simbolizonin kryerjen e gjenocidit kundër tyre u angazhuan edhe në kohë paqeje që të pranohet gjenocidi i kryer kundër tyre edhe nga bashkësia ndërkombëtarë.
Prandaj, përpos qëllimit të të komemoracionit qëllim në vete me paraqitjen e emblemës së Lulëkuqes është vazhdimësia e përpjekjeve që të pranohet gjenocidi i kryer. Pra, me këtë qëllim synohet që të arrimë te faza e kërkim faljes nga Serbia e cila kreu gjenocid mbi shqiptarët. Ky angazhim për njohjen e gjenocidit të kryer duhet të jetë agjendë shtetërore dhe përmes emblemës në paraqitje të çfarëdo eventi shtetëror, si brenda ashtu edhe jashtë, plasojmë historinë e dhembjes por gjithashtu bartim me vete edhe kërkesën për njohjen e gjenocidit serb kundër shqiptarëve. Vetëm kur të pranohet gjenocidi i kryer atëherë mund të shpresohet se mund të arrihet stadi i kërkim faljes që është faza e fundit e gjenocidit. Me këtë emblemë si simbol i gjenocidit njëkohësisht do kontribuojmë që të rilansohet slogani i Konventës së sipërpërmendur “Kurrë Më”.
Mu për këtë, për të mos vonuar edhe më tej duhet sa më parë të legalizohet në mënyrë shtetërore emblema Lulëkuqja – simbol i gjenocidit të përjetuar të shqiptarëve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
OSBE-ja do të vazhdojë mbështetjen për sistemin prokurorial të Kosovës…