
Lumi ‘Gjanica’ shndërrohet në vendgrumbullimin e mbeturinave (Video)
Mungesa e koshave të plehrave e ka shndërruar shtratin e lumit “Gjanica” në vendgrumbullim të mbetjeve urbane.
Përveç ndotjes që shkaktojnë kompanitë e naftës duke shkarkuar mbetjet hidrokarbure, lumi “Gjanica” ndotet sistematikisht edhe nga plehrat që hedhin vetë njerëzit.
Përgjatë rrugës nacionale Fier-Ballsh, në dy anët e lumit ndodhen fshatrat, Ofiçinë e Vjetër dhe Patos Fshat.
Panorama është krejtësisht e ndryshme në dy anët e lumit, pasi Patosi Fshat është pjesë e bashkisë së Fierit, ndërsa fshati Ofiçinë e vjetër i përket bashkisë Patos.
Nga njëra anë lumi është i pastër, ndërsa në anën tjetër, pikërisht në fshatin Ofiçinë e Vjetër, shtrati i lumit është i mbushur me plehra.
Ndotja mjedisore që shkaktohet nga hedhja e plehrave në lumin “Gjanica”, ndikon jo vetëm në jetën e banoreve të kësaj zone, por edhe për pushuesit në bregdetin e Semanit dhe Darëzezës, pasi të gjitha këto mbetje derdhen në det.
Pak metra më tutje ndodhen edhe depozitat e dekantimit te naftës, të cilat shpesh herë derdhin mbetjet hidrokarbure në shtratin e lumit Gjanica. /Top Channel/