Tërnava: Për dy ose tre ditë mund të fillojë hapja e xhamive

25 maj 2020 | 14:15

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, në një intervistë për “RTV Dukagjinin” ka deklaruar se rënia e numrit të infektuarve në ditët e fundit është mundësi e mirë që këto ditë të fillojë hapja e xhamive.

“Unë them derisa këto ditë kemi lajme të mira, atëherë këto janë shenja të mira. Me emër të Zotit nesër do të takohem me kompetentët tanë, edhe me Institutin edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, nëse kështu vazhdon brenda dy tre ditëve është e mundshme që të startojmë në xhami për faljen e namazeve”, ka thënë Tërnava.

I pari i BIK-ut ka thënë se ka qenë e nevojshme që të respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe falja e namazit të Fitër Bajramit të kryhet në kushte tjera nga ato të zakonshmet.

“Qytetarët na kanë kuptuar drejtë dhe mire. Nëse qesim para vetes diçka më të shenjtë se mirëqenien e popullit atëherë nuk jemi as imam, as hoxhallarë, as politikanë, me një fjalë nuk jemi askushi”, ka deklaruar Tërnava.

Këtë vit falja e Fitër Bajramit është kryer nëpër shtëpi sepse grumbullimi i besimtarëve nëpër xhami nuk ka qenë i lejuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, për shkak të pandemisë Covid-19.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa kohë më parë Gold AG i ka dhënë fund…