Si në filma, armë me shurdhues në veturë dhe dyshime për një plan vrasjeje në Prishtinë – cak Vigan Bekqeli, këta janë katër të dyshuarit

29 nëntor 2026 | 09:51

Një informatë për përgatitjen e një vrasjeje në Prishtinë ka mobilizuar hetuesit e Policisë së Kosovës, duke çuar në zbulimin e një pistolete me shurdhues, sekuestrimin e një automjeti dhe bastisjen e shtëpive të katër personave të dyshuar. Operacioni ka rezultuar me arrestimin e njërit prej tyre, ndërsa tre të tjerët janë vendosur në kërkim policor, mëson ekskluzivisht Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi që dyshohet se ishte në shënjestër të planit për vrasje është Vigan Bekqeli, rreth 36 vjeç.

Katër personat që po hetohen nën dyshimet për përgatitjen e vrasjes së Bekqelit janë Evatar Ajvazi, Bekim Rexhepi, Gëzim Begudhe Fidaim Hoti.

Gjithçka nisi mbrëmjen e së premtes, më 27 nëntor, rreth orës 22:15, kur hetuesit policorë pranuan informacione se disa persona dyshohej se po përgatitnin vrasjen e Bekqelit.

Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme nisën veprimet operative dhe hetimore, duke identifikuar dhe intervistuar personin që dyshohet se ishte cak i vrasjes.

Pistoleta me shurdhues që u zbulua në veturë

Në kuadër të hetimeve, Policia arriti të identifikonte dhe të sekuestronte një automjet që dyshohet se kishte lidhje me rastin.

Gjatë ekzaminimit të veturës, ekspertët e kriminalistikës zbuluan një pistoletë me shurdhues dhe pesë fishekë.

Hetimet çuan më pas në identifikimin e katër personave të dyshuar, ndërsa Policia realizoi bastisje në shtëpitë dhe objektet e tyre përcjellëse.

Gjatë këtyre bastisjeve u arrestua Evatar Ajvazi, rreth 38 vjeç, në shtëpinë e të cilit u gjet dhe u sekuestrua edhe një pistoletë tjetër me shtatë fishekë.

Tre të dyshuar në kërkim policor

Tre personat e tjerë që dyshohet se janë përfshirë në përgatitjen e vrasjes së Bekqelit nuk u gjetën gjatë kontrolleve në shtëpitë e tyre.

Bekim Rexhepi, rreth 51 vjeç, Gëzim Begu, rreth 29 vjeç dhe Fidaim Hoti, rreth 46 vjeç, tashmë figurojnë në kërkim policor.

Ndërkaq, pas përfundimit të intervistimit të Evatar Ajvazit, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.

Hetimet po zhvillohen për përgatitjen e veprës penale “Vrasja e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Motivi i dyshuar i vrasjes së Bekqelit dhe roli konkret i secilit prej katër të dyshuarve ende nuk janë bërë të ditur.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Zvicra renditet në vendin e 27-të në botë për nivelin…