Lumi Vjosa shpallet Park Kombëtar

25 shtator 2020 | 13:24

Presidenti Ilir Meta u është bashkuar ekspertëve të mjedisit dhe shoqatave ambientaliste që prej kohësh kërkojnë ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve të Poçemit dhe Kalivaçit në zonën e lumit të Vjosës.  Presidentit Ilir Meta ka kërkuar sot gjatë një takimi me ekspertët në Tepelenë që zona e Vjosës ku qeveria ka projektuar ndërtimin e HEC-eve të shpallet Park Kombëtar dhe zonë e mbrojtur.

Pas insistimit të Presidentit Meta dhe qindra shkencëtarëve nga Shqipëria dhe gjithë bota, sot ka ardhur reagimi i kryeministrit Edi Rama. Kryeministri thotë për herë të parë se zona e Vjosës ku ishin projektuar HEC-et do të jetë pjesë e mbrojtur e Parkut Kombëtar. Kjo është hera e parë që kreu i qeverisë shprehet për ndalimin e HEC-eve në Vjosë dhe heq dorë nga projektet energjetike që do shkatërronin pasuritë natyrore. Mesa duket është dashur ndërhyrja e Presidentit të Republikës, që kryeministri të kujtohet për zonën e Vjosës ku ishin projektuar disa hidorcentrale me pasoja katastrofike për mjedisin.

“Reagon Rama në Twitter: Jam dakord me Ilir Metën që e ardhmja nuk është shkatërrimi, po sa mirë do kishte qenë sikur ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut, siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen! Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë!”,- shkruan Edi Rama në një postim në Twitter.

Dje në Tiranë, kreu i shtetit dhe Universiteti i Tiranës organizuan konferencën shkencore ‘‘E ardhmja e Lumit Vjosa – Ndërtim digash apo Park Kombëtar”. Ekspertë të njohur të ambientit paraqitën situatën kritike të zonës së Vjosës ku janë projektuar HEC-et. Ndërsa sot Presidenti përuroi Qendrën Ndërkombëtare Shkencore dhe Kërkimore për lumin Vjosa në Tepelenë. Lumi Vjosa është i rrezikuar nga planet për ndërtimin e hidrocentraleve të Poçemit dhe Kalivaçit. Kryeministri Edi Rama sot tha për herë të parë se nuk do të ketë HEC dhe reagimi vjen si përgjigje ndaj nismës së kreut të shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka…