Lushi reagon ashpër kundër Speciales për shtyrjen e vendimit për liderët e UÇK-së
Analisti dhe ish-luftëtari i UÇK-së nga Batalioni i Atlantikut, Uk Lushi, ka reaguar ashpër në llogarinë e tij në “Facebook” pas shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit për krerët e UÇK-së.
Ai ka thënë se aleatët dhe Gjykata Speciale nuk po e kuptojnë se e kanë shpenzuar tërësisht kapitalin dhe leverdinë te shqiptarët, duke lejuar nëpërkëmbjen e dinjitetit bazik të të gjithë popullit shqiptar.
“E keni tepruar me Gjykatën Speciale dhe jeni duke u sjellë si kolonialistë mbi sistemin juridik të Kosovës pa e pyetur Kosovën për asgjë. E keni shumë gabim nëse mendoni se Kosova pranon gjithçka pafund. Çdo verdikt tjetër përpos lirimit të themeluesve të shtetit të Kosovës, pas gjykimit farsë ku nuk u provua asnjë pikë e aktakuzës dhe u diskredituan rrenat ndërkombëtare për rrenat e Dick Martyt, do të shpërthejë krejt Kosovën dhe shqiptarët nuk mbajnë asnjë obligim e as përgjegjësi ndaj askujt, as aleatëve dhe as armiqve. Dijeni se na e keni futur thikën në asht dhe reagimi ynë mbrojtës është e drejtë njerëzore dhe natyrore. Boll më!”, ka shkruar Lushi.



