Lutfi Haziri raporton sot para deputetëve rreth rastit të Agon Musliut
Në Komisionin Hetimor për Menaxhimin e Pandemisë nga Qeveria e Kosovës që do të mbahet sot në orën 10:00, do të raportojë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Po sot në orën 12:00 do të dëshmojë edhe udhëheqësi i Qendrës Operative Emergjente në Gjilan, Fadil Kajtazi.
Pas një ore në këtë komision hetimor është ftuar që dëshminë e tij ta japë edhe koordinatori i Qendrës Operative në Ministrinë e Shëndetësisë, Pashkë Buzhala.
Që të tre do të dëshmojnë rreth rastit të të ndjerit Agon Musliu, i cili ndërroi jetë në Qendrën Karantinë që ishte te Qendra e Studentëve e cila në kohën e pandemisë shërbeu si karantinë për të gjithë qytetarët që vinin në Kosova nga vendet e tjera.
Komisioni Hetimor për menaxhimin e pandemisë nga Qeveria e Kosovës është mbledhur edhe më 1 tetor gjatë së cilës mbledhje, Ilir Hoxha u votua për të qenë ekspert i shëndetit publik për këtë komision.
Sqarime për angazhimet e ekspertëve në këtë komision i dha kryesuesja e këtij komisioni, Mimoza Kusari-Lila.
Eksperti ligjor në komisionin hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë nga Qeveria e Kosovës është Adem Vokshi.
Para këtij komisioni deri tani dëshminë e tij e kanë dhënë ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku. Ndërsa po në këtë komision dëshminë e ka dhënë edhe babai i të ndjerit, Agon Musliu, i cili vdekjen tragjike të djalit të tij e ka quajtur si politike.



