LV-ja është e interesuar për president jopartiak
Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se subjekti i saj politik është i interesuar për një president apo presidente konsensuale dhe jopartiake.
Deklarata e saj vjen vetëm pak orë pasi nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se në rast të një marrëveshjeje politike për postin e presidentit, kandidat mund të ishte kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, apo edhe ai vetë.
Nagavci ka theksuar se përvoja e deritanishme ka treguar se kandidatët partiakë nuk janë zgjidhja më e mirë për pozitën e presidentit.
“Sot jemi të gatshëm të bisedojmë shumë seriozisht. Lëvizja Vetëvendosje, në këtë moment që po flasim, është e gatshme dhe e interesuar që të dakordohet për një emër konsensual dhe jopartiak për president apo presidente të Kosovës. Sepse praktika po na dëshmon çdo ditë se kandidatët partiakë nuk janë shembulli më i mirë, edhe për shkak të rolit unifikues që duhet ta ketë presidenti”, ka deklaruar Nagavci
E pyetur për mundësinë e bashkëqeverisjes me ndonjërën nga partitë opozitare, ajo tha se në këtë fazë nuk mund të japë një përgjigje konkrete.
“Kjo është çështje që nuk mund t’i përgjigjemi sot. I kemi numrat e mjaftueshëm për ta votuar qeverinë. Gjithsesi, unë nuk mund të them sot që do të qeverisim me një parti tjetër”, ka thënë Nagavci.
Sipas rezultateve zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 53 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe, bashkë me deputetët e komuniteteve joserbe, mund të sigurojë shumicën për formimin e qeverisë.
Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet një konsensus më i gjerë politik, pasi në dy rundet e para kërkohen së paku 80 vota të deputetëve.



