Osmani: Minimi i marrëveshjes së Ohrit mbetet kërcënim për paqen dhe stabilitetin
Ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka komentuar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare për Ballkanin Perëndimor.
Sipas Osmanit, ky vendim riafirmon se minimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit vazhdon të konsiderohet kërcënim për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
“Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare për Ballkanin Perëndimor riafirmon se minimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit mbetet një kërcënim për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, ka shkruar Osmani.
Ai ka theksuar se, në një kohë kur po shfaqen përpjekje për të zbehur frymën dhe dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit, ky vendim shërben si kujtesë e qartë për rëndësinë e saj.
“Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk është çështje e politikës së përditshme, por një gur themeli i stabilitetit të Maqedonisë së Veriut dhe i së ardhmes së saj euroatlantike. Ohri nuk është e kaluara. Ohri është e ardhmja”, ka thënë Osmani.



