LV-ja kërkon të mos kompensohen më deputetët për karburante, PDK-ja këtë e quan hipokrizi

23 shkurt 2022 | 14:52

Lëvizja Vetëvendosja  ka kërkuar ndaljen e kompensimit të deputetëve për karburante, derisa Partia Demokratike e Kosovës (PDK), këtë iniciativë të partisë në pushtet e kanë quajtur hipokrizi.

Ndërsa deputetë të LDK-së janë shprehur se ka paqartësi kërkesa e kryetari të Kuvendit të Kosovës dhe grupit parlamentar të LV-së për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve.

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ku është shqyrtuar kjo kërkesë, shefja e grupit parlamentar nga LV-ja, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se duhet të vendoset një tavan për shpenzimet mujore të një deputeti.

Ajo ka thënë se duhet të rishikohet komplet vendimi për shpenzimet e udhëtimit të deputetëve, si dhe të shkurtohen deri në 50 për qind shpenzimet për telefon.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se kërkesa e LV-së është një hipokrizi dhe fasadë pas shpërthimit të debatit publik për shpenzimet deputetëve për naftën.

“Deri tash nuk ka pasur asnjë reagim për këtë çështje pa u bërë u bërë publike. Mua më duket hipokrizi me u ngritë kjo çështje vetëm pse janë përmendur kolegët deputetë nga Vetëvendosje, por edhe ne si deputetë. Ne duhet ta kemi në fokus dinjitetin e qytetarit, por edhe të deputetit. Në këtë drejtim iniciativa e juaj është më shumë për ‘fasadë’ në aspektin popullist se sa për një çështje që është serioze. Unë jam dakord që të rishikohet, por kjo po bëhet në dy faza, po bëhet me Ligjin e pagave dhe me Rregulloren e punës së Kuvendit, Është mirë që të bëjmë një analizë më të mirë dhe mos të biem pre për një grusht të votave, por ta ruajmë edhe dinjitetin e përfaqësuesit të popullit”, ka thënë Lushtaku.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kërkesa e kryetarit të Kuvendit dhe e Vetëvendosjes është e paqartë.

Madje, deputeti Hoti ka kërkuar që t’u jepet më shumë kohë grupeve parlamentare për diskutim.

“Unë propozoj që në mënyrë më strukturore ta trajtojmë komplet këtë vendim dhe t’i shkojë Kryesisë propozim-vendimi i ri nga ky komision, ku ne i rregullojmë edhe një herë të gjitha shtesat që marrin deputetët. Kjo nuk duhet të bëhet nën presionin publik. Gjithsesi se kjo punë nuk duhet të bëhet me eufori, por me arsyeshmëri”, është shprehur Hoti.

Kurse kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, ka thënë se nuk është e ndershme që Kuvendi t’i mbikëqyrë shumë institucionet e pavarura për shpenzimet e naftës, e në anën tjetër vet deputetët të shpenzojnë karburante pa kontroll.

Muja ka thënë se iniciativa e grupit parlamentar të Vetëvendosjes për shkurtimin e shpenzimeve në Kuvend, sidomos për naftë dhe kafe, ka qenë para debatit publik për shpenzimet enorme.

Ai ka thënë se deri në javën e ardhshme të gjitha grupet parlamentare duhet t’i dërgojnë me shkrim propozimet për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve.

Ndërkohë, Komisioni ka krijuar një grup punues prej pesë anëtarësh lidhur me Projektligjin për borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore. /Ksp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Opinionisti Arbër Hajdari ka bërë një bilanc të eksperiencës së…