MABETEX investon 50 milionë euro në komunën e Çairit
Komuna e Çairit do të jetë përfituese e një investimi me vlerë prej 50 milion euro, e cila u arrit pas marrëveshjes mes kreut të kësaj komune, Visar Ganiut dhe biznesmenit e shefit të MABETEX-it, Behgjet Pacolli. Ky është një investim strategjik dhe shumë i rëndësishëm për banorët e kësaj komuna, e cila do të përmirësoje shumë jetën e qytetarëve të saj. Një investim i tillë do të ndikojë fuqishëm në ekonominë e saj pasi ajo do të gjenerojë shumë vende pune dhe do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e përgjithshëm të Çairit.
Ky investim gjigant parasheh ndërtimin e 12 garazheve me kate për parkimin e 3000 veturave, e që në këtë mënyrë do t’i jepte fund problemit të parkimit që për një kohë të gjatë ka qenë një nga shqetësimet më të mëdha për banorët e saj.
Këtë njoftim për këtë investim strategjik e ka bërë përmes një statusi nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhidi i cili në zyrat e komunës së Çairit së bashku me kryetarin Ganiu, i kanë pritur në takim shefin e MABETEX-it, Behgjet Pacollin dhe Valon Llukën me bashkëpunëtor, ku janë dakorduar për këtë projekt prej më të mëdhenjve në këtë komunë.
Ky projekt do të rrisë edhe vlera e pronave të qytetarëve të kësaj komune, pasi ky investim i madh do ta ndryshoj pamjen e Çairit, dhe kjo komunë shqiptare do të marrë pamjen e një metropoli të vërtetë.
Gjatë nënshkrimit të kontrates ishin prezent, nga Mabetex-i Behgjet Pacolli dhe drejtori i Holdingut Valon Lluka kurse nga ana tjeter Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, Zv. Kryeministri i parë Artan Grubi, Zv. Kryeministri Fatmir Bytyqi, Kryetari i Shkupit Petre Shilegov dhe zyrtarë të lartë të Qeverise se Maqedonise së Veriut.




