Macroni shpreson se Trumpi dhe Rohani do të takohen në javët e ardhshme

26 gusht 2019 | 17:54

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë të hënën se po bëhen përgatitje për një takim midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidentit të Iranit, Hassan Rohani, në javët e ardhshme.

“Dy gjëra janë shumë të rëndësishme për ne: Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore dhe kjo situatë nuk duhet të kërcënojë kurrë stabilitetin rajonal”, ka thënë Macroni në një konferencë për media në fund të samitit të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që i ka zhvilluar punimet në Francë.

Macroni ka thënë se po zhvillohen diskutime për të organizuar samitin Trump-Rohani.

“Ajo çfarë pres në javët e ardhshme, është që t’ia dalim të shohim një samit midis presidentit Rohani dhe presidentit Trump”, ka thënë Macroni, raporton “Rel”-i.

Trumpi dhe Rohani pritet të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që do t’i nisë punimet në fund të shtatorit.

Marrëdhëniet midis ShBA-së dhe Iranit kanë shkuar duke u përkeqësuar prejse Trumpi është tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Republikës Islamike dhe fuqive botërore.

Pas tërheqjes, ShBA-ja ka kthyer sanksione të fuqishme kundër Iranit, çfarë ka bërë që ky i fundit të braktisë disa pjesë të marrëveshjes bërthamore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka…