Majlinda dhe ekipi i xhudos vizituan Festivalin Olimpik

20 shkurt 2018 | 17:57

Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, xhudisti Akil Gjakova, trajneri Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës (FXHK), Agron Kuka e kanë vizituar të martën Festivalin Olimpik PyeongChang 2018, i cili po mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Ata patën rastin të praktikojnë edhe sportin e kërlingut, i cili bashkë me patinazhin dhe hokejin po promovohen nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK). Prania e ekipit të xhudos, zgjoi kureshtjen e të pranishmëve, të cilët patën rastin ta shohin medalistën e artë në LO RIO 2016, Majlinda Kelmendi, duke shfaqur aftësitë e saj edhe në kërling. Akil Gjakova me vete kishte edhe medaljen e artë të fituar javën e kaluar në Grand Slamin e Parisit.

Më pas, kampionët iu drejtuan edhe fushës me akull sintetik, ku dhjetëra fëmijë dhe vullnetarë patën rastin të fotografohen me ta. Në 12 ditët e deritashme prej se ka filluar Festivali, sportet e kërlingut dhe patinazhit i kanë praktikuar dhjetëra mijëra fëmijë, kurse në dy ditët e fundit (24 dhe 25 shkurt) fëmijët do të shijojnë edhe sportin e hokejit. Kujtojmë që me organizimin e këtij Festivali Olimpik, KOK-u është bërë Komiteti i nëntë Olimpik në botë, që organizon një festival të tillë madhështor, pas shteteve të fuqishme si: Italia, Franca, Belgjika, Holanda, Sllovenia, Republika e Çekisë, etj.

Festivali po mbahet krahas Lojërave Olimpike Dimërore PyeongChang2018, të cilat po përcillen në ekranin gjigant të vendosur skaj aktiviteteve.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar kërkesën për ndarjen…