Mali që bashkon legjendën dhe historinë

23 shtator 00:39

Shkruan: Blerim Latifi

Emrin e ka trashëgim nga legjenda e lashtë e qyqes, prandaj e quajnë Qyqavicë.

Legjenda thotë: kur mësoi se në shtëpinë e shkretuar nga vdekja e kishte kthyer vëllau i vdekur, i ngritur nga varri për të mbajtur besën që i kishte dhënë nanës, motra u lutet hyjnive ta shndërrojnë në qyqe, që t’i vajtojë përjetësisht vëllezërit e vdekur në luftë. Dhe ato ia plotësuan dëshirën.

E kthyen në qyqe dhe ajo fluturoi në malin që mori emrin e saj: Qyqavica. Dhe për çudi Mali i Qyqës, gjatë historisë, në kush e di sa raste, do të kthehej vërtet në një mal të dhimbjes, vuajtjeve dhe lotëve. Por edhe të rezistencës ndaj të keqës. Dhe kjo histori do të përsëritej edhe me 22 e 23 shtator të vitit 1998.

Në ato ditë mbi 25 mijë ushtarë e policë serbë e rrethuan Qyqavicën dhe nisën sulmin përgjatë të gjithave rrugëve, të cilat bashkoheshin në një pikë të vetme, në majën e saj, një lëndinë e zhveshur, prej nga shihet pothuajse e gjithë Kosova. Mijëra e mijëra civilë, nën breshërinë e artilerisë së rëndë, braktisën shtëpitë e tyre, për të gjetur strehim në thellësitë e Malit të Vajtimit. Shumë prej tyre u sakatuan nga predhat që vinin nga të gjitha anët dhe binin gjithkah.

Regjimi i Milosheviqit po kërkonte t’i jepte goditjen përfundimtare UÇK-së dhe ku, pikërisht aty ku me 1924 kishte marrë fund Lëvizja Kaçake e Azem Bejtës, aty ku në shkurtin e vitit 1945 Shaban Polluzha u kishte dhënë lajmin e hidhur bashkëluftëtarëve të tij se kryengritja e tyre kishte marrë fund, aty ku udhëtari, nga që të kalojë, ndeshet në varret e luftëtarëve të panjohur, të vrarë në kohë e shekuj të ndryshëm.

Njësitë e UÇK-së, të pajisura me armë të lehta dhe në numër shumëfish më të vogël se ushtria serbe, nuk mund të ndalonin dot divizionet sulmuese të saj. Krejt çfarë mund të bënin ishin të vononin depërtimin e saj dhe të ndihmonin në evakuimin e popullatës civile, bashkë me të plagosurit e shumtë.

Në këtë përpjekje titanike do të bënin disa nga luftëtarët më të dalluar të UÇK-së : Fehmi e Xhevë Lladrovci do të binin në hyrje të fshatit të tyre, i cili shtrihet buzë Qyqavicës. Në Prekaz do të binin Naim Haxhiu, Kadri Mehmeti, Shemsedin Haxhiu, e Murat Haliti. Në Ashlan, Agim Ramadani, në Galicë, Muharrem Misimi e Driton Ibrahimi, e në Gradicë, mjeku i luftës, Lec Gradica. Ata nuk ishin të vetmit.

Dhjetra të tjera ranë me armë në dorë gjatë atyre dy ditëve, në të katër anët e Qyqavicës, ndërsa civilët e vrarë ishin mbi 170.Kështu, legjenda e lashtë për motrën e shndërruar në qyqe nga dhimbja, kishte kapërcyer kufijtë e imagjinarës për t’u bërë njësh me realitetin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, bëri të ditur se gjatë…