Maliqi: Opozita nuk duhet të tregohet refuzuese dhe inatçore

22 qershor 17:22

Analisti politik Agon Maliqi ka thënë se politikës shqiptare i mungon mendësia shtetformuese, prandaj partitë politikë janë larg arritjes së konsensusit për çështje të interesit kombëtar.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se çdo gjë shihet nga prizmi i kalkulimeve politike dhe inateve. Maliqi ka thënë se opozita nuk duhet të tregohet refuzuese dhe inatçore karshi dialogut me Serbinë.

Në këtë drejtim, sipas tij, si pikënisje duhet të jetë një platformë e përbashkët me vija të kuqe dhe konsensusi në grupin e unitetit dhe pastaj nuk ka rëndësi se kush u prinë bisedimeve.

Maliqi ka vlerësuar se Kosova nuk ka qeveri dhe lidership me kapacitet shtetformues dhe me agjendë të qartë zhvillimore. Ai ka thënë se sundon njëfarë mendësie zhvatëse dhe provinciale

“Epoka e re”: Z. Maliqi, të dielën do të mbahet takimi i radhës në nivel të presidentëve në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, takim ky që nis fazën finale të bisedimeve. Cilat janë pritjet e juaja nga ky proces?
Maliqi: Pritjet nuk janë të mëdha për këtë takim specifik. Dialogu efektivisht është i bllokuar dhe është e qartë se nuk ka kuptim të vazhdojë kështu me formatin e marrëveshjeve të pjesshme mbi problematika të veçanta e që shpesh nuk respektohen. Ajo që ndoshta mund të pritet është ndonjë diskutim në vija të trasha mbi atë se cila është rrugëdalja. Gjegjësisht, se a mund të flasim për fillimin e një procesi të ri drejt asaj që BE-ja po e quan ‘marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht detyruese’, pra një marrëveshje ku trajtohen të gjitha problematikat bashkërisht, përfshirë edhe zhbllokimin ndërkombëtar të Kosovës, dhe se si mund të strukturohet ky proces negociatash në muajt në vijim. Mogherini me gjasë po përpiqet që dialogut t’ia japë një shtytje të fundit dhe një dinamikë të re sepse asaj dhe Komisionit Evropian u skadon mandati në vitin 2019. Por edhe për shkak se pas miratimit të strategjisë së zgjerimit dhe marrëveshjes historike mes Maqedonisë dhe Greqisë, ekziston një momentum i ri në Komisionin Evropian dhe në shtetet e Kuintit për t’i përmbyllur kontestet bilaterale në Ballkan, që shihen si burim brishtësie, si bllokuese të zgjerimit dhe krijuese të hapësirës për ndërhyrje destabilizuese të vendeve si Rusia.

“Epoka e re”: Presidenti Thaçi u bëri ftesë partive politike për përfshirje në negociata dhe krijimin e një ekipi të unitetit? Duhet të përfshihet opozita në këtë proces?
Maliqi: Presidenti duket sikur më shumë po përpiqet t’i bindë të tjerët që t’ia japin atij mandatin për të negociuar sesa për të ndërtuar një frymë konsensuale dhe mirëbesimi për negociata. Në këtë përpjekje tani po e paguan faturën e karrierës politike të bazuar në manovra makiaveliste që e kanë bërë njeri të cilit pakkush i beson. Sidoqoftë, nuk e kuptoj insistimin e opozitës për t’u përgjigjur me të njëjtën monedhë papërgjegjësie dhe kthimit të kësaj çështjeje të interesit kombëtar në debat të reduktuar në atë se kush duhet t’u prijë negociatave dhe kush nuk bën. Le të jetë pikënisje një platformë e përbashkët me vija të kuqe dhe konsensusi në grupin e unitetit dhe pastaj nuk ka rëndësi se kush u prinë bisedimeve. Ashtu-kështu çdo marrëveshje do të duhet të kalojë në Kuvend dhe nuk është se Thaçi, sidomos pas përvojës me demarkacionin dhe asociacionin, do të mund të nënshkruajë çka do. Në një çështje me interes kaq madhor dhe në një moment kaq delikat gjeopolitik në rajon shqetësimi ynë kryesor nuk mund të jetë nëse dikush po legjitimohet politikisht ose jo.

“Epoka e re”: Megjithatë, palët ende janë larg arritjes së konsensusit për dialogun.
Maliqi: Janë larg sepse politikës shqiptare prej vitesh i mungon mendësia shtetformuese. Çdo gjë, edhe çështjet më strategjike, shihen nga prizmi i kalkulimeve politike dhe inateve. Në Shqipëri kjo mungesë konsensusi prej vitesh e ka vonuar forcimin e institucioneve dhe integrimet evropiane, ndërsa në rastin tonë po e mban peng dhe po e dobëson edhe pozicionin tonë negociues me Serbinë. Megjithatë, në këtë ambient cinik politik ekzistojnë edhe rrugëdalje ku gjithkush mund të dalë nga pak fitues. Në një postim në media propozova që opozita në vend se të jetë thjesht retorikisht refuzuese dhe inatçore, mund të tregohet edhe pak kreative dhe produktive në kushtëzimet e saj, në stilin e manovrave të Thaçit. Për shembull, duke e kushtëzuar pjesëmarrjen në dialog me një amendament kushtetues i cili nuk do t’u lejonte presidentëve që pas skadimit të mandatit t’i rikthehen për 5-10 vjet politikës aktive (në ekzekutiv dhe legjislativ). Kështu opozita do të mund të tregohej edhe shtetformuse si konstruktive në dialog, edhe demokratizuese duke e parandaluar instalimin e një modeli politik Gjukanoviq në Kosovë.

“Epoka e re”: Është paralajmëruar se në fund të këtij dialogu palët do të arrijnë një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme. Do të jetë në favor të Kosovës një marrëveshje e tillë apo ka rrezik për kompromise të reja në dëm të shqiptarëve?
Maliqi: Nuk mund të paragjykohet. E kam një përshtypje se te ne dominon njëfarë pasigurie e thellë kolektive dhe bindje joracionale se neve gjithmonë na ngulet. Traumë e popujve të vegjël dhe të kolonizuar që e shohin botën e jashtme si kërcënim. Harrojmë se nga proceset negociuese e kemi sjellë intervenimin e NATO-s dhe shpalljen e pavarësisë. Të ulemi në tavolinë pa ndonjë detyrim për të nënshkruar diçka që na paralizon më shumë se ç’jemi të paralizuar. E mira është se Vuçiqi duket i interesuar të arrijë marrëveshje sepse është në kulmin e fuqisë së tij politike dhe pa kundërshtarë seriozë (më vonë mund ta ketë shumë më vështirë arritjen e marrëveshjes) dhe Kosova falë aleatëve tanë është pengesë e patejkalueshme për rrugëtimin në BE. Ajo që duhet të na japë pak kurajë është se pakkush, përveç Serbisë dhe Rusisë, ka interes ta mbajë Kosovën peng përmes një bosnjëzimi. Nëse i përcillni me vëmendje zhvillimet në Serbi dhe diskursin e Vuçiqit dhe medieve që ai i kontrollon (e ai i kontrollon të gjitha!), Vuçiqi nuk duket shumë i lumtur me atë se çka mund të përfitojë nga negociatat dhe po e përgatit terrenin për dy skenarë. Po flet për presion të hatashëm ndërkombëtar në mënyrë që eventualisht të mund ta arsyetojë tërheqjen prej negociatave. Por edhe për skenarë të Prishtinës për ndërhyrje me dhunë në veri, përmes të cilit, ashtu siç pretendon opozitari Vuk Jeremiq, Vuçiqi me gjasë po e përgatit opinionin edhe për ndonjë kompromis të dhimbshëm të cilin do ta shiste si mënyrë e vetme për t’i shpëtuar serbët nga dhuna (mos të harrojmë, serbët e kanë gjallë traumën e refugjatëve të Kosovës dhe Kroacisë që u zhvendosën pas qasjes kokëfortë të regjimit). Prandaj, nëse vija e mesme apo kompromisi i mbështetur nga Perëndimi është një variant që nuk e kthen Asociacionin në një monstër dhe ia hap Kosovës perspektivën ndërkombëtare, atëherë nuk kemi pse të frikësohemi prej negociatave. Nëse dështojnë, le të jetë Serbia fajtore për këtë dështim.

“Epoka e re”: Partitë politike po vazhdojnë mbajtjen e tryezave, por po shihet se nuk ka ende përafrim të qëndrimeve për një temë të caktuar. LDK-ja insiston në zgjedhje të reja, për çka edhe po kërkon konsensus. Si i shihni këto tryeza politike?
Maliqi: Vështirë të komentohet se çfarë po bën opozita kur edhe vetë opozita nuk e di se çfarë po bën. LDK-ja dhe VV-ja janë më shumë të shqetësuara me telashet e brendshme dhe, duke mos qenë gati për zgjedhje, po merren me retorikë opozitare, por jo edhe me aksion opozitar. Dritarja që ekziston për përmbylljen e këtyre negociatave është e ngushtë (1 vit) dhe skenari i zgjedhjeve nuk është i përshtatshëm as për bashkësinë ndërkombëtare. Zgjerimi apo ndryshimi i koalicionit qeverisës me përfshirjen e LDK-së është vështirë i imagjinueshëm. Në këto rrethana, i takon opozitës të jetë konstruktive dhe të gjejë zgjedhje kreative për të mos ia bllokuar Kosovës proceset strategjike. Jam i bindur se kjo do t’i vlerësohet edhe elektoralisht.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, çfarë vlerësimi keni për qeverisjen aktuale në Kosovë, cilat janë masat urgjente që duhet të ndërmerren në rrafshin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar?
Maliqi: Nuk kemi qeveri dhe lidership me kapacitet shtetformues dhe me agjendë të qartë zhvillimore. Sundon njëfarë mendësie zhvatëse dhe provinciale e preokupuar vetëm për akomodimin e interesave të ngushta. Qeveriset me inercion, pa vizion strategjik të ndërtuar mbi prioritete, sot për nesër, dhe pa skrupull e kujdes për financat publike. Ky koalicion i ndërtuar brenda natës e di se me po aq shpejtësi mund të largohet kështu që problemet dhe punët e vërteta po ua lë atyre që do të vijnë më vonë. Shteti po trajtohet sikur të ishte pazar i kerreve. Nga ky kryeministër që duket se nuk kupton gjë nga qeverisja dhe prioritetet zhvillimore edhe nuk mund të pritej më mirë. Dobësia jonë e brendshme është pastaj edhe e jashtme, duke qenë se nuk po arrijmë të dëshmohemi si storie suksesi. Jemi treguar shtet krejt joserioz në përpjekjet për t’iu shmangur detyrimeve ndërkombëtare që i kemi marrë vetë qoftë me demarkacionin, qoftë me përpjekjen për anulimin e Gjykatës Speciale. Me fjalë të tjera, nga jashtë shpesh dukemi mjaft qesharakë, që është gjëja e fundit që i nevojitet një vendi të cilit shtetësia i kontestohet.

Shqipe HETEMI

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shifra të frikshme janë publikuar nga një raport i fundit…