Maliqi: Rusia nuk dëshiron marrëveshje Kosovë-Serbi

24 janar 2020 | 14:57

Analisti politik Agon Maliq ka vlerësuar se Kosova do të bënte gabim fatal nëse do të bëhej pala që e bllokon nismën amerikane për dialogun gjithëpërfshirës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se pala më e interesuar që mos të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi është Rusia, ndërsa pala më e interesuar që marrëveshja të mos arrihet për fajin e Kosovës është Serbia.

Postimi i plotë i Maliqit:

Gabim fatal historik – i nivelit të refuzimit të Rambujesë ose Pakos së Ahtisaarit – do të ishte nëse Kosova bëhet pala që e bllokon nismën amerikane për dialogun gjithëpërfshirës, duke u ushqyer me iluzione se mund të vinë rrethana me të favorshme në rast të ndryshimit (të pasigurt) të administratës amerikane. Konteksti ndërkombëtar po përkeqësohet – Evropa nuk është askund për ta zgjidhur problemin dhe aty nuk jemi të favorizuar; SHBA-të po tërhiqen dhe nuk do të kenë më interes për t’u marrë me ne ashtu siç duhet por do t’ia lënë (si Obama) Evropës, ndërkohë që ne kemi mbetur të ngujuar. Shumë mite janë prodhuar këto vite mbi këtë dialog për shkak të agjendave të brendshme politike dhe mediatike, por një gjë duhet të jetë e qartë: pala më e interesuar që mos të ketë marrëveshje është Rusia, ndërsa pala më e interesuar që marrëveshja të mos arrihet për fajin tonë është Serbia. Kaq besoj do të duhej të mjaftonte për ta pasur të qartë se cili është interesi i Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në bazë të konkursit publik për Programin Artistik të Galerisë…