Maqedonci dhe gjeneral Jashari marrin pjesë në takimin e grupit për mbrojtjen e Ukrainës
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, të shoqëruar nga ambasadori i Kosovës për marrëdhëniet me NATO-n, Astrit Zemaj, po marrin pjesë në takimin e radhës së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që po zhvillohet në selinë e NATO-s në Bruksel.
Takimi drejtohet nga sekretari i Mbrojtjes së ShBA-së, Lloyd Austin si dhe ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov.
Për herë të parë, pjesëmarrësve i është drejtuar edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili ka shprehur falënderimin e popullit të Ukrainës ndaj ministrave dhe shefave të mbrojtjes të pranishëm për ndihmën e ofruar vendit të tij.
Fokusi i takimit ishte vijimi i ofrimit të asistencës ushtarake në armatime, pajisje dhe trajnime për forcat e armatosura të Ukrainës nga vendet e këtij koalicioni.
Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës është formati i takimeve të ministrave dhe shefave të mbrojtjes së mbi 50 vendeve të botës që përbëjnë koalicionin e madh të mbështetësve të Ukrainës, që prej fillimit të agresionit rus.



