Maqedoni: Vazhdojnë konsultimet për referendumin

19 korrik 2018 | 16:35

Liderët e partive politike janë duke vazhduar konsultimet lidhur me referendumin për emrin edhe për çështjet tjera që kanë të bëjnë me procedurat për zbatimin e plotë të marrëveshjes për emrin me Greqinë.

Takimi i ri i liderëve të katër partive politike vjen pas bojkotit të takimit të së mërkurës nga lideri i opozitës, Hristijan Mickovski, i cili nuk është pajtuar me formatin e takimit, derisa ka dalë edhe me kërkesën për miratimin e Ligjit për financimin e partive politike dhe atë për Qeverinë, që ka të bëjë me formimin e Qeverisë së re para zgjedhjeve, qofshin ato të rregullta apo të parakohshme.

Kryeministri Zoran Zaev, ka pranuar kërkesën e opozitës dhe në takimin e sotëm ka folur vetëm me kryetarët e katër partitë kryesore, Hristijan Mickovskin e VMRO-së, Ali Ahmetin e BDI-së, Bilall Kasamin e Lëvizjes BESA, ndërsa LSDM-në e përfaqëson vetë ai.

Zaevi, ka thënë se referendumi në të cilin qytetarët e Maqedonisë do të deklarohen për marrëveshjen për emrin me Greqinë, do të jetë konsultativ, ndërsa ka prezantuar edhe pyetjen që do të parashtrohet në referendumin që pritet të mbahet në vjeshtë, shkruan “Rel”.

Ndryshe, pas harmonizimit të qëndrimeve për referendumin, Kuvendi duhet të miratojë ndryshime në Kodin Zgjedhor, përkatësisht zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Pas kalimit të referendumit, pason procedura për ndryshimet kushtetuese, por vetëm nëse referendumi kalon me sukses.

Marrëveshja për emrin e ri të shtetit, “Maqedonia Veriore”, nuk do të jetë e plotë pa ratifikimin e saj në Parlamentin e Greqisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet …