Maqedonia e Veriut shpall gjendjen e krizës

20 nëntor 2020 | 22:32

Qeveria e Maqedonisë së Veriut të premten në mbrëmje shpalli gjendjen e krizës në gjithë territorin e vendit, për përballje më efikase me pandeminë, që e ka shkaktuar koronavirusi. Vendimi nënkupton përfshirjen edhe të Armatës në aktivitetet e rendit si dhe në ndihmë të institucioneve shëndetësore.

Shpallja e gjendjes së krizës i mundëson qeverisë që të administrojë edhe me spitalet private dhe ndërmarrjet tjera për përballjen sa më efikase të sëmundjes COVID-19, të shkaktuar nga koronavirusi.

Një shtab kryesor do të jetë organi që do të koordinojë të gjithë luftën kundër pandemisë së koronavirusit gjatë kohës së gjendjes së krizës. Shtabi kryesor do të koordinojë 80 shtabe lokale të krizës nëpër komuna, të cilat do të marrin vendime mbi nevojat që kanë pushtet lokale nga sektori shtetëror dhe privat për një menaxhim më të lehtë dhe më dinamik të krizës.

Vendimi u miratua me rekomandim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare që drejtohet nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, ditën e enjte, ku gjendje epidemiologjike u vlerësua si shumë e rëndë. Gjendja e krizës do të zgjas në afat prej 30 ditëve dhe ajo nuk nënkupton edhe orë policore apo kufizim të lëvizjes.

Kryeministri Zoran Zaev, ka thënë se për momentin nuk ka nevojë për kufizime të reja, por ka bërë thirrje për respektimin e masave në fuqi që të mos aplikohen masa të reja kufizues, transmeton rel.

Maqedonia e Veriut, ka regjistruar të premten 39 viktima nga Covid-19, 1237 persona të infektuar si dhe 748 të shëruar. Numri më i madh i viktimave është regjistruar në Shkup, gjithsej dhjetë persona. Të dhënat i referohen testimit të 3.200 monstrave.

Deri më tani me covid-19 janë diagnostikuar 52.449 persona, prej tyre 1.462 kanë humbur jetën, 30.952 janë shëruar, ndërsa raste aktive janë 20.035 persona.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 37,242 raste me coronavirus janë regjistruar në Itali në…