Maqedonia në NATO brenda një viti e gjysmë

25 korrik 2018 | 15:04

Maqedonia ka nisur të mërkurën formalisht bisedimet për anëtarësimin në NATO, pasi më 12 korrik ky shtet ka marrë ftesën për anëtarësim në këtë organizatë.

Në Shkup ka arritur një delegacion i NATO-s, i udhëhequr nga drejtori për çështje evropiane dhe globale, James McKee, i cili me institucionet e Maqedonisë do të bisedojë për çështje politike, të sigurisë, të mbrojtjes dhe financiare, në kuadër të negociatave për anëtarësim.

Në konferencën e përbashkët për medie me koordinatorin kombëtar të Maqedonisë për anëtarësimin në NATO, Stevo Pendarovski, McKee ka shfaqur shpresën se Maqedonia, përafërsisht për një viti e gjysmë, do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.

“Marrë parasysh përvojat e mëparshme, i gjithë procesi duhet të zgjasë rreth 18 muaj”, ka thënë McKee.

Dyert e Maqedonisë në NATO ia ka hapur arritja e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Megjithatë, anëtarësimi i Maqedonisë në këtë mekanizëm kushtëzohet me zbatimin e plotë të Marrëveshjes me Greqinë, me të cilën emri i saj ndryshon në Maqedonia e Veriut. (Rel)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Buxhet dhe Financa ka mbajtur të mërkurën mbledhjen…