Marigona Kadriaj në Savrovë: Besimin e qytetarëve nuk do ta marr si privilegj, por si përgjegjësi

24 shtator 2025 | 22:35

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Suharekë, ka vazhduar takimet me qytetarë në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale. Kandidatja për Asamblenë Komunale të Suharekës, Marigona Kadriaj, e cila garon me numrin 26 në listën e PDK-së, së bashku me kandidatin për kryetar të komunës, Dardan Berisha, kanë zhvilluar një takim me banorët e fshatit Savrovë.

Gjatë këtij takimi, kandidatët kanë prezantuar pikat kryesore të programit qeverisës, duke theksuar përkushtimin për zhvillim lokal, rritje të transparencës në qeverisje dhe përmirësim të shërbimeve publike.

Në fjalën e saj para banorëve të Savrovës, Kadriaj theksoi lidhjen personale që familja e saj ka me këtë fshat dhe kujtimet që lidhen me kohën e luftës.

“Sonte në Savrovë, bashkë me kandidatin për kryetar Dardan Berisha, pata kënaqësinë të jem mes njerëzve të dashur të këtij fshati, me të cilin familja ime ka një lidhje të veçantë. Gjatë luftës, familja ime ishte strehuar te familja Haziri, miq e të afërm të gjakut tonë. Po ashtu, pata rastin të takoj shumë shokë që kanë njohur babain tim gjatë dhe pas luftës. Sa ndjenjë e mirë është kur të thonë: ‘Ti je vajza e Komandantit’. Është krenari e madhe që babai im ka lënë gjurmë të pashlyeshme kudo në Kosovë, e veçanërisht këtu në Suharekë”, tha Kadriaj.

Duke folur për angazhimin e saj në politikë, kandidatja e PDK-së tha se për të, vota e qytetarëve nuk është privilegj, por një detyrim moral dhe politik për të punuar me përkushtim.

“Besimin që do të ma japin qytetarët nuk do ta marr si privilegj, por si përgjegjësi. Do të punoj dhe do t’ju shërbej me nder e përkushtim”, u shpreh ajo.

Ndërsa kandidati për kryetar të Suharekës, Dardan Berisha, shpalosi vizionin e tij për të ardhmen e komunës, duke premtuar mbështetje për të rinjtë, zhvillim të infrastrukturës dhe përmirësim të kushteve të jetesës për banorët.

Takimet e PDK-së në Suharekë po zhvillohen në vazhdimësi në të gjitha fshatrat dhe lagjet e komunës, me synim që programi dhe kandidatët të prezantohen drejtpërdrejt para qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha (Një krahasim i rrezikshëm dhe i pavend.…