Mario Mitaj vlerësohet mes talenteve botërorë

26 dhjetor 2023 | 16:40

Observatori i futbollit, “CIES”, ka publikuar së fundmi raportin mujor me listën e futbollistëve të rinj më premtues, “Future Champions”, të cilët janë pjesë e kampionateve të ndryshme në botë dhe që i përkasin vitlindjes 2003 ose më vonë.

Kjo listë është bazuar jo vetëm në minutat e luajtura të futbollistëve në kampionat me klubet përkatëse, por edhe në minutazhin që kanë pasur në ekipet kombëtare gjatë këtij viti si dhe nëse i kanë nisur ndeshjet nga minuta e parë e takimit.

Në këtë listë renditet edhe mbrojtësi i talentuar i Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, i cili ka spikatur me paraqitjet e tij fantastike në radhët e ekipit kuqezi.

Talenti shqiptar, i cili luan me Lokomotivën e Moskës, ka marrë këtë vlerësim të rëndësishëm nga Observatori i Futbollit, duke u renditur si i 14-ti në listën e 30 lojtarëve më të mirë të moshës së tij, të cilët luajnë në krahun e majtë të mbrojtjes.

Në këtë listë, Mario Mitaj renditet përkrah emrave të tillë si Balde, futbollist i Barcelonës, Colwill, lojtar i Chelsea-t, Netz, futbollist i Borussia M’gladbach e të tjerë.

Vlerësimi që i bëhet lojtarit kuqezi është një lajm i mirë jo vetëm për vetë Mitajn, por edhe për Kombëtaren shqiptare. Mario Mitaj shkëlqeu këtë sezon me ekipin kombëtar, duke u kthyer në një mur për kundërshtarët e Shqipërisë në fushatën eliminatore “Gjermani 2024”. Tashmë, mbrojtësi i majtë shqiptar është një lojtar që duhet mbajtur nën vëzhgim…

Observatori i futbollit “CIES” është një grup kërkimor brenda Qendrës Ndërkombëtare për Studime Sportive, një qendër studimi e pavarur, me seli në Zvicër, e specializuar në analizën statistikore të futbollit dhe është krijuar në 2005 nga Dr. Raffaele Poli dhe Dr. Loic Ravenel.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka…