
MARRËVESHJA E PAQES NË LINDJEN E MESME, PROTESTA GJITHËKOMBËTARE PËR UÇK-në DHE E ARDHMJA E KOSOVËS
Nertil Jole
Më 13 tetor 2025, në Egjipt u mbajt një nga takimet më të rëndësishme diplomatike të dekadës, Samiti i Paqes për Gazën, i kryesuar nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, me pjesëmarrjen e 30 liderëve botërorë. Ky samit pasoi një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit, që synon t’i japë fund një konflikti mbi një shekullor, i cili rifilloi me intensitet të plotë në tetor të vitit 2023. Marrëveshja parashikon një plan paqeje me faza, duke synuar mbrojtjen e civilëve, çarmatimin e grupeve të dhunshme dhe vendosjen e një administrimi të përbashkët ndërkombëtar për periudhën kalimtare.
Ky zhvillim, edhe pse larg nesh gjeografikisht, nuk është pa domethënie për të ardhmen e Kosovës. Nesër në Tiranë, organizohet një protestë gjithëkombëtare në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe drejtësisë për ish-krerët e saj, të cilët po përballen me një proces të gjatë e të diskutueshëm gjyqësor në Hagë.
Në pamje të parë, këto dy zhvillime, marrëveshja për paqe në Lindjen e Mesme dhe protestat për UÇK-në, mund të duken të palidhura. Por në thelb, ato ndajnë një bosht të përbashkët: nevojën për drejtësi pas një lufte, respektimin e sakrificës dhe domosdoshmërinë e ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme mbi themele të drejta.
Për të kuptuar këtë lidhje, mjafton të kujtojmë se kurba historike e Kosovës nuk nisi me shpalljen e pavarësisë më 2008, por me dekada të tëra shtypjeje, diskriminimi dhe rezistence. Paqja e arritur pas luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes vendimtare të SHBA-së nuk ishte fundi i rrugës, por fillimi i një rruge tjetër, më të vështirë, por jetike, drejt ndërtimit e demokratizimit të shtetit.
Pikërisht këtu ndodhet nyja që bashkon realitetin e Gazës me atë të Kosovës: sakrifica nuk duhet të harrohet, drejtësia nuk mund të vonohet dhe paqja nuk mund të jetë vetëm mungesë lufte, por prani aktive e lirisë, barazisë e konsolidimit institucional.
Protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, pas asaj madhështore në Hagë, është një thirrje kolektive për dinjitet dhe për rikujtimin e rolit të çlirimtarëve, jo vetëm në arritjen e lirisë, por edhe në vendosjen e themeleve të shtetit të ri. Ata që sot janë në bankën e të akuzuarve, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ishin pikërisht ata që në vitet më të vështira morën përsipër përgjegjësinë historike për të përfaqësuar një popull të tërë në kërkim të drejtësisë dhe lirisë.
Kam patur fatin të njoh personalisht disa nga drejtuesit më të rëndësishëm të UÇK-së, përmes lidhjeve të afërta familjare që kanë kontribuar në ndërmjetësimin mes qeverisë shqiptare dhe strukturave çlirimtare të Kosovës. Nga bisedat me ta kam mësuar se lufta nuk ishte vetëm betejë ushtarake, por edhe betejë politike, morale dhe historike për të vendosur drejtësinë në vend, drejtësi që, në shumë aspekte, ende po kërkohet sot.
Por a mjafton vetëm të kujtojmë luftën? A është çlirimi dhe shpallja e pavarësisë një qëllim më vete, apo vetëm hapi i parë i një rrugëtimi shumë më kompleks drejt një shteti funksional, demokratik e të zhvilluar?
Përgjigjja është e qartë: paqja nuk është një status quo, është proces. Ajo kërkon institucione të forta, drejtësi të pavarur, qeverisje të drejtë e të ndershme dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen. Nëse këto mungojnë, atëherë rrezikojmë ta shohim çlirimin si një fitore të shkuar dhe jo si një detyrim të përhershëm për të ruajtur lirinë.
Në këtë kontekst, përgjegjësinë më të madhe e mban politika, jo vetëm ajo e së shkuarës, por sidomos ajo e sotmja. Sepse qeverisja nuk është për të ruajtur pushtetin, por për të çuar përpara vizionin për një Kosovë të drejtë, të begatë dhe të pranuar ndërkombëtarisht.
Fatmirësisht, ditët e fundit sollën një lajm shpresëdhënës; Kosova foli me votë. Zgjedhjet vendore dëshmuan se qytetarët janë të vetëdijshëm për nevojën e ndryshimit dhe se koha e justifikimeve të pafundme për mosformimin e qeverisë së re ka përfunduar.
Tani është momenti që qeveria e re, cilado qoftë ajo, nuk duhet të humbasë asnjë minutë. Duhet të rivendosë besimin me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, që historikisht kanë qenë aleati më i madh i Kosovës. Marrëdheniet me Shqipërinë duhet të çohen në nivelin e interesave të kombit, pa asnjë ekuivok. Qeveria Kurti duhet të punojë me guxim për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, të garantuar dhe mbështetur nga faktori ndërkombëtar. Dhe më shumë se kaq, duhet të dëshmojë se Kosova është e aftë të jetë jo vetëm një shtet i lirë, por edhe një shtet funksional, demokratik dhe i denjë për të qenë pjesë e familjes euroatlantike.
Vetëm atëherë do të përmbushet plotësisht sakrifica e atyre që luftuan për të dhe do ta meritojnë me të drejtë një paqe të qëndrueshme, të drejtë e gjithëpërfshirëse, një paqe që nuk lind nga kompromisi me të drejtën e standartet demokratike, por nga vullneti për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë.