Marrëveshja Kosovë – Serbi do të jetë komplekse

20 qershor 15:35

Diplomati i njohur, presidenti i Akademisë Diplomatike Shqiptare, Lisen Bashkurti, ka ftuar lidershipin e Kosovës të përgatitet për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se është e nevojshme që ky proces parapërgatitor të jetë serioz, legjitim, i përgjegjshëm, transparent dhe gjithëpërfshirës.

Ai ka theksuar se në tërësi bisedimet Kosovë -Serbi deri më tani kanë krijuar më shumë zhgënjime sesa shpresa afrimi, pajtimi dhe bashkëpunimi. Bashkurti ka thënë se procesi i bisedimeve Kosovë – Serbi ka ngelur në status quo.

“Ose, më saktë, ka ngelur në një rreth të mbyllur pa rrugëdalje”, ka thënë ai. Diplomati Bashkurti ka thënë se lideshipet e këtyre dy shteteve nuk po kanë energji të mjaftueshme për të dalë vetë nga ky rreth i mbyllur. Ai ka kërkuar më tepër energji nxitëse nga BE-ja dhe më shumë mbështetje nga ShBA-ja

“Epoka e re”: Z. Bashkurti, më në fund Greqia dhe Maqedonia arritën një marrëveshje historike rreth emrit të kësaj të fundit. Cila është rëndësia e kësaj marrëveshjeje për dy vendet dhe për Ballkanin në përgjithësi?
Bashkurti: Prej më shumë se dy dekada Greqia ka bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE për shkak të debatit për emrin. Më në fund zgjidhja erdhi. Negociatat e shumta e mjaft kontroverse përfunduan me emrin ‘Republika e Maqedonisë Veriore”. Është një përcaktim me nocion etno-gjeografik. Procesi i vështirë i debateve duket se ka qenë rreth nocionit që do të formulohej emri i ri. Ka pasur dy grup-propozimesh: një grup emrash me nocione historike dhe një grup emrash me nocione gjeografike. Emrat me nocione historike nuk u pranuan sepse kanë bartur ngarkesa etno-historike-kulturore me shumë ambiguitete, të papranueshme kryesisht nga pala greke. Emrat me nocione thjesht gjeografike kanë zbehur deri në fshirje identitetin etno-historik-kulturor dhe si të tillë janë hedhur poshtë gjatë bisedimeve nga pala maqedonase. Zgjidhja e negociuar erdhi si rezultat i kompromisit midis dy grup emrash, të atyre historikë dhe gjeografikë së bashku. Ky emër kompromisi duket se kënaqë më së shumti të dyja palët: pala maqedonase ndien të realizuar identitetin historik-kulturor (në pjesën e emrit ‘e Maqedonisë’), ndërsa pala greke ndihet e kënaqur sepse ka arritur ta ruajë identitetin antik të Maqedonisë, duke e lokalizuar gjeografikisht (në pjesën e emrit ‘Veriore’). Në negociata të dyja palët kanë lëshuar diçka nga vetja për t’ia dhënë palës tjetër, sikundër kanë fituar diçka për vete duke ia kufizuar palës tjetër. Zgjidhja duket të jetë e arsyeshme. Tipike formulë negociatash, ku asnjëra palë nuk fiton gjithçka, por edhe nuk humbet gjithçka. Është një rezultat win-win. Ose një fitore pa të humbur.  Edhe nga përvoja historike e diskurseve politiko-diplomatike për emrat e shteteve praktika e përcaktimeve etnike e mpleksur me nocione gjeografike ka qenë më e gjendur, më e pranueshme dhe, si rrjedhoje, më e qëndrueshme. Kështu kemi emrat e Koresë së Veriut, të Timorit Lindor etj., që janë përdorur në rrethana specifike, por në mënyrë të qëndrueshme.
Nga ky këndvështrim, pavarësisht prej tensioneve momentale të krijuara për motive politike në qarqe greke dhe maqedonase të ditës, marrëveshja do të jetë e qëndrueshme. Ndërkohë për faktorin shqiptar marrëveshja është zgjidhja më e mirë, sepse ajo mënjanon abuzimet etnike me konotacione ekskluzive sllave dhe deformimet lidhur me etnogjenezën e popullsisë maqedonase në atë vend. Shqiptarët ndihen më të relaksuar dhe më të realizuar me emrin e ri.

“Epoka e re”: Këto dy vende nuk janë të vetmet në rajon që kanë probleme mes vete. Nga presioni i BE-së, si duket, çdo vend i Ballkanit Perëndimor është i detyruar ta ndjekë rrugën e Maqedonisë. Si e shihni zgjidhjen e problemeve mes vendeve të rajonit?
Bashkurti: Në kontekstin Ballkanik arritja e kompromisit për emrin, Republikës së Maqedonisë  Veriore i hap rajonit rrugë për të hedhur dy hapa të mëdhenj drejt integrimeve euroatlantike: anëtarësimit të plotë në NATO dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Në të dyja këto dimensione të integrimit avancimi i Republikës së Maqedonisë Veriore është me dobi të madhe për vendin dhe për mbarë Ballkanin Perëndimor.  Është e vërtetë se BE-ja ka rritur presionin mbi vendet e Ballkanit Perëndimor në tri dimensione: së pari, për t’i zgjidhur problemet bilaterale ndërmjet tyre të bazuara në parimet e fqinjësisë së mirë. Së dyti, për të zhvilluar politika e projekte të përmasave rajonale, që synojnë ta rrisin konektivitetin ndërmjet tyre dhe në tërësi bashkëpunimin rajonal. Së treti, të përpilojnë dhe të zbatojnë një politikë të jashtme dhe diplomaci në linjë me atë të Bashkimit Evropian, për çështjet më madhore ku vendet e BE-së arrijnë një konsensus ndërmjet tyre.
Në të tria këto aspekte shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë sfida për t’u përballur. Në aspektin e parë bilateral, të gjithë kanë probleme bilaterale të një natyre dhe rëndësie të ndryshme. Por, më të mprehtat janë problemet midis Serbisë dhe Kosovës, zgjidhja e të cilave do ta çlironte mbarë Ballkanin Perëndimor nga një nyje bllokuese. Në aspektin e dytë, të konektivitetit dhe kooperimit rajonal, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë shpalosur vullnet të mirë, por më pak veprime dhe projekte konkrete. Agjendat e ngushta lokale vazhdojnë t’i dominojnë politikat e shteteve individuale, herë për shkak të mungesës së mbështetjes financiare të mjaftueshme nga BE-ja, herë për shkaqe politikisht të motivuara. Në aspektin e tretë, të qasjes së politikës së jashtme dhe diplomacisë së Ballkanit Perëndimor me linjat e dakordësuara të BE-së, sfida themelore ngelet tek Serbia, politika e jashtme dhe diplomacia e së cilës vazhdon të jetë ambige midis BE-së dhe Rusisë. Kjo është dukuri evidente në qasjen e Serbisë ndaj sanksioneve të vendosura nga BE-ja pas krizës së Ukrainës, duket në orientimet strategjike dhe ushtarake serbo-ruse si dhe aspekte të politikës së jashtme të Serbisë ndaj fqinjëve të saj, sidomos ndaj Kosovës, Bosnje-Hercegovinës e Malit të Zi.

“Epoka e re”: Në kuadër të arritjeve të marrëveshjeve historike në rajon, me interesim të veçantë pritet ajo në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të arrihet në fazën finale të dialogut. Çfarë do të duhej të përmbajë një marrëveshje e tillë dhe sa do të jetë e vështirë arritja e një kompromisi të tillë?
Bashkurti: Do të jetë marrëveshja më e vështirë dhe komplekse në Ballkanin Perëndimor, njëkohësisht marrëveshja përmbyllëse e problematikave më të mprehta të trashëgimisë historiko-politike ballkanike. Marrëveshja do të jetë e vështirë sepse ka të bëjë me një kapërcim epokal të doktrinës së politikës së jashtme të Serbisë lidhur me Kosovën. Kemi parasysh se doktrina tradicionale e politikës së jashtme serbe zë fill nga ‘Nacertanie’ e Ilia Garashaninit, zhvillohet nga Mbretëria Serbe e vitit 1878, shtrihet më tej nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene e vitit 1918, agresivizohet më tej nga platforma ‘Përzënia e Shqiptarëve’ e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në krye me dr. Vasa Çuroliviçin, zhvillohet ende më shumë me Ivo Andriçin, radikalizohet në Jugosllavinë e AVNOJ-it nga Aleksandër Rankoviçi, ripërtërihet nga platforma MANU e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në vitet ’80 dhe kulmon me aksionin politiko-ushtarak të Millosheviqit në vitet ’90.
Kjo platformë kontinuitive serbe nuk është thjesht relike historike, por ‘qenie e gjallë’ edhe sot e kësaj dite. Është në Kushtetutën e Republikës së Serbisë është në politikën e jashtme, është në aksionin diplomatik, është në doktrinën e Kishës Serbe sikundër në qarqe akademike dhe në shtresa të opinionit publik. Diçka ka lëvizur për të mirë në këtë aspekt. Por, kjo lëvizje është ende larg për ta sjellë ndryshimin cilësor të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës.

“Epoka e re”: Lidershipi në Kosovë po mundohet ta arrijë një konsensus nacional rreth bisedimeve finale me Serbinë por, si duket, nuk po ia arrin dot. Është i nevojshëm një konsensus i tillë?
Bashkurti: Lidershipi i Kosovës është përballë një sfide të jashtëzakonshme. Marrëveshja do të jetë komplekse sepse do të jetë shumëdimensionale dhe afatgjatë. Për këtë pala e Kosovës lypset të përgatitet shumë mirë. Është e nevojshme që ky proces parapërgatitor të jetë serioz, legjitim, i përgjegjshëm, transparent dhe gjithëpërfshirës. Kërkohet përgatitje institucionale dhe jopersonale, nevojiten përgjegjësi shtetërore dhe jo thjesht protagonizëm individual, transparencë e gjithanshme dhe e përhershme dhe jo informacion i munguar dhe i fragmentuar, lypet gjithëpërfshirje e gjithë aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë të mbarë Kosovës dhe jo frymë përjashtimore politikisht e motivuar.
Mendoj se më e shumta e punës përgatitore për këtë marrëveshje përfundimtare është pa u bërë. Më së paku është bërë. Them më së paku se bisedimet Kosovë-Serbi të nisura në pranverë të vitit 2013 kanë ecur ngadalë, me probleme të shumta të lëna pa zgjidhje, pjesa më e madhe të parealizuara në praktikë, një pjesë të kontestuara nga politikat e brendshme dhe opinionet publike të të dy shteteve, sikundër ndërkombëtarisht të pambështetura.
Në tërësi bisedimet Kosovë – Serbi kanë krijuar deri tani më shumë zhgënjime sesa shpresa afrimi, pajtimi dhe bashkëpunimi. Drejtuesit e këtyre bisedimeve të të dy palëve janë treguar përgjithësisht të dobët, pamjaftueshmërisht të aftë dhe u ka munguar guximi prej lidershipi të vërtetë vendimmarrës me vizione historike.
Lidershipet kryesuese të bisedimeve Kosovë – Serbi nuk kanë arritur as të përbashkojnë faktorët politikë të brendshëm dhe as ta sigurojnë mbështetjen ndërkombëtare të mjaftueshme. Procesi i bisedimeve ka ngelur në status quo. Ose, më saktë, ka ngelur në një rreth të mbyllur pa rrugëdalje. Kosova dhe Serbia dhe lideshipet e tyre nuk po kanë energji të mjaftueshme për të dalë vetë nga ky rreth i mbyllur. Kërkohet më tepër energji nxitëse nga BE-ja dhe më shumë mbështetje nga ShBA-ja që situata Kosovë – Serbi të dalë nga gjendja ku ndodhet e ngecur prej kohësh.

“Epoka e re”: Nëse kemi një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, a mund të themi se rajoni i Ballkanit Perëndimor po futet në një fazë të re?
Bashkurti: Pa dyshim definimi i marrëveshjes së përgjithshme Kosovë – Serbi në kuadër të një traktati të plotë miqësie dhe bashkëpunimi midis dy shteteve të pavarura e sovrane, të njohura ndërkombëtarisht dhe anëtare të Kombeve të Bashkuara do të përmbyllte një faqe shekullore problematike midis Serbisë dhe Kosovës, sikundër midis shqiptarëve dhe serbëve përgjithësisht.
Një traktat i tillë Kosovë – Serbi si dhe një frymë e re në marrëdhëniet shqiptaro-serbe do ta hapnin një epokë të re për mbarë Ballkanin Perëndimorë dhe gjithë Kontinentin Evropian. Atë proces paqtimi që Evropa e nisi me projektin Mone në vitet ’50 të shekullit të kaluar, Ballkani do ta përmbyllte me marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe shqiptaro-serbe në fillimin e mileniumit të ri. Projekti Franko-Gjerman për Evropën dhe projekti Kosovë – Serbi dhe shqiptaro-serb për Ballkanin janë pjesë e një procesi të Evropës në rrugëtimin e saj drejt paqes, demokracisë e prosperitetit.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët afganë kanë thënë se të paktën 11 ushtarë janë…