
Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi të kurorëzojë njohjen reciproke
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i vetmi mekanizëm që siguron një zgjidhje të qëndrueshme për të dyja shtetet dhe për rajonin.
Gjatë adresimit para Kuvendit të Kosovës, Meta tha më 22 korrik se ka ardhur koha që procesi i dialogut të rivitalizohet dhe të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare.
“Mendoj se ka ardhur koha që mekanizmi i dialogut të rivitalizohet, por duke qëndruar gjithmonë në themelet e veta qëllimore, për të prodhuar një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve që kurorëzon njohjen reciproke”, ka thënë Meta.
Meta, që po zhvillon vizitën e fundit në Kosovë në cilësinë e presidentit të Shqipërisë, tha se dialogu po ashtu i ka dhënë mundësinë Serbisë që të pranojë që “pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të pakthyeshme dhe të pandryshueshme”.