MARRËVESHJET ME EMRA LIQENESH, SHPËTIMTARE PËR MAQEDONINË E VERIUT

24 gusht 2021 | 16:58

Përmirësimi i pozitës së shqiptarëve në Maqedoni me anën e marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duhet të shihet në pako me çlirimin e Kosovës nga NATO dhe me futjen e kësaj hapësire ballkanike nën ombrellën e NATO-s. Çlirimi i Kosovës ka qenë vendimtar për çfarëdo lëvizjeje të suksesshme të shqiptarëve në Maqedoni.

Milazim KRASNIQI

Marrëveshja kornizë e Ohrit është vetëm njëra nga marrëveshjet që në kohë të ndryshme dhe me paketime të ndryshme, kanë tentuar të mbyllin ose të fshehin mosmarrëveshjet në Maqedoni. Në të vërtetë, Maqedonia e sotme mund të quhet si shtet qëështë produkt i marrëveshjeve, më të shumtën i marrëveshjeve të të tjerëve kundër saj, që e kanë pushtuar dhe copëtuar, por edhe i marrëveshjes së saj të brendshme, (Marrëveshjes së Ohrit) që ka mundësuar mbijetesën e saj. Në këtë kuptim, Maqedonia e sotme është më shumë shtet, se sa vend, po të përdorim një nuancë kuptimore, ashtu si e pati përdorë një anglez duke folë për Belgjikën. Pra, i bie qëështë shtet i marrëveshjeve dhe jo i vendimeve sovrane, shtet i krijuar e jo shtet i formuar. Natyrisht, nuk është i vetmi shtet që nuk është vend, sepse të tillëjanë edhe shtetet fqinje, Shqipëria e veçmas Kosova. As ky fat i rëndë, disi i përbashkët me Shqipërinë e me Kosovën, nuk është ndonjë rastësi. Pse?

Një tërësi unike gjeografike-ndër shekuj e shfytyruar nga konfliktet

Në të vërtetë, territori i Maqedonisë, i cili me Kosovën dhe me Shqipërinë paraqet edhe një tërësi kompakte gjeografike, që nga antika ka qenë territor ku janë dyndur popuj, ku janë ngritur e shuar shtete, ku janë shfaqur besime e ideologji të kundërvëna deri në shfarosje. Sipas dëshmive arkeologjike, gjurmët e banorëve të parë në këto territore janë të kohës së paleolitit, ndërsa ka vazhduar pastaj në neolit e më vonëme dyndje e përzierje popujsh, ku kanë spikatë më shumë ilirët dhe thrakasit e më vonë edhe helenët. A ishin maqedonasit helenë apo ilirë të helenizuar, kjo është njëçështje që debatohet ende në qarqet shkencore, po edhe në ato propagandistike, ku me kohë janë futur edhe sllavomaqedonasit, të cilët në atë kohë nuk kanë qenë fare banorë të këtyre territoreve. Por, ajo mungesëe faktuar e tyre në ato kohëra, nuk i ka penguar sllavomaqdonasit që Shkupin e sotëm ta teleisin me figura të Maqedonisë antike, duke tentuar qërrënjët e shtetit t’i kërkojnë në antikë, te Filipi e te Aleksandri i Madh. Sado joserioze në planin shkencor, kjo tentativë e çuditshme, ka dhënë disa efekte në planin propagandistik për Maqedoninë e sotme. Mbetet të kuptohet në të ardhmen se a kanë pasur ndonjë ndikim këto lojëra propagandistike në frikësimin e grekëve nga kjo tentativë posesisve ndaj të kaluarës dhe të shihet se a e ka lehtësuar ndryshimin e opinionit publik grek, për ta pranuar më lehtë Marrëveshjen e Prespes!Poashtu mbetet të kuptohet edhe sa ka ndikuar psikologjikisht kjo lojë propagandistike mbi vetë shqiptarët, meqë shqiptarët antikën e përjetojnë si vlerë të veten, minimalisht si një vlerë të afërt me grekët. Megjithatë, këto lojëra dhe perceptime nuk e ndryshojnë faktin qështeti i parë me emrin Maqedoni fillon me Filipin, ndërsa arrinë përmasat e një perandorie me Aleksandrin e Madh. Më vonë ajo perandori fragmentohet dhe shpërbëhet, duke iu nënshtruar sundimeve dhe religjioneve të ndryshme, duke e shndërruar rajonin në një arenë të konflikteve shfytyruese ndërmjet helenizmit, sllavizmit, bizantinizmit, osmanizmit dhe produkteve të llojllojshme religjioze e ideologjike.
Po pse iu rezervua ky fat i rëndë këtij territori?Përgjigjen e jep gjeografia: fakti që lumenjtë e Maqedonisë si edhe të Kosovës, pjesërishtedhe të Shqipërisë derdhen në tre detra (Detin Egje, Detin Adriatik dhe në Detin e Zi) tregon një pozitë gjeografike gjithnjëtë ekspozuar ndaj inkursioneve, pushtimeve dhe përhapjes së ideve e religjioneve të ndryshme. Prandaj nuk ka qenë e rastit as lëvizja bogumile, as ndikimet e kryqëzatave, as luftërat bullagro-bizantine, as pushtimet mesjetare serbe, assundimi Osman, as makutëria e përbindshme e shteteve ballkanike (Serbisë, Bullgarisë e Greqisë.) Pra, Maqedonia historike (pra ose të tri Maqedonitë) bashkë me Kosovën dhe me Shqipërinë paraqet një territor në të cilin historia nuk i ka lënë dy gur në një vend, për një kohë më të gjatë.

Rruga e përgjakshme nga Maqedonia osmane te Maqedonia socialiste

Maqedonia e sotme, Maqedonia e Veriut është një fragment gjeografik nga ajo që ka mbetur nga Maqedonia antike dhe nga Maqedonia osmane. Si e tillë ajo nuk ka mundur ta zgjidhëçështjen maqedonase, e cila kishte filluar në shekullin XIX, fillimisht si reagim ndaj Kishës Greke, e cila bënte greqizimin e besimtarëve sllavofonë. Mandej edhe si kryengritje për një status autonom në kuadër të Shtetit Osman, ajo që njihet si kryengritja e Ilindenit. Por pas lufërave ballkanike,Maqedonia u copëtua ndërmjet Bullgarisë, Greqisë e Serbisë, duke shkaktuar edhe tragjedi të mëdha demografike mbi popullsitë e këtyre hapësirave, shqiptarëve, turqve, maqedonasve e hebrenjve. Ndërsa themelin e shtetit të sotëm e ka krijuar mbledhja e ASNOM (1944) ku u mor vendimipër statusin e Maqedonisë së Vardarit, si njësi e barabartë e federatës së Jugosllavisë që u proklamua në Jajce (1943.) Pra, kjo Mqedoni ishte shtet i amputuar, siç ishte edhe Shqipëria, gjë që nuk ishte pa pasoja në rregullimin e brendshëm shtetëror. Si pasojë e traumave, kompleksit të inferioritetit dhe ambicieve të reja megallomane, maqedonasit tentuan të shtypnin shqiptarët dhe të ndërtonin një shtet njëentik, shtet vetëm për maqedonasit. Ata kishin humbur betejat për një shtet kombëtar, ishin tradhtuar nga bullgarët e nga serbët, ishin sakatuar nga grekët, ndërsa po u hakmirreshin shqiptarëve, që mbetën të jetonin në Republikën Socialiste të Maqedonsië. Deri sa ishte republikë e ish Jugosllavisë, Maqedonia i maskonte disipretendimet e veta antishqiptare, por pas pavarësimit (1991) projekti i saj nacionalist u ballafaqua me problemin real, me shqiptarët që po kërkonin hisen e tyre në shtetin e ri. Mungesa e vullnetit për ta pranuar realitetin, çoi në luftën e vitit 2001, e cila zbuloi dobësitë e shtetit dhe e kërcënoi me shpërbërje. Bile, idetë për copëtimin e Maqedonisëu negocuan edhe ndërmjet vetësubjekteve politike që përbënin qeverinëe koalicionit në vitin 2001( VMRO-DPMNE dhe PDSH.) Lufta e UÇK-së e pengoi planin qeveritar të Gerogievskit e Xhaferit për copëtimin e Maqedonisë. Ndërsa Marrëveshja e Ohrit e hapi një kapituill të ri të raporteve ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve në këtë shtet. Prandaj Marrëveshja Kornizë e Ohrit edhe duhet të shikohet e të vlerësohet në kuadër të njërealiteti të hidhur që ka mbretëruar në këto hapësira një kohë të gjatë.Absurdi është se para marrëveshjes Kornizë të Ohrit, të gjitha përmbysjet dhe tragjeditë e popujve që kanë jetuar nëkëto hapësira, janë paketuar në disa marrëveshje (Paqja e Shën Stefanit, Paqja e Bukureshtit (1913) Konventa Greko-Bullgare (1919), Marrëveshja Tito-Kyprili (1953), ku fituesi i ka marrë të gjitha. Secila nga ato marrëveshje kanë prodhuar tragjedi dhe ndryshime të rënda demografike. Fjala vjen, Konventa Greko-Bullgare ka sjellë rreth 400.000 refugjatëmaqedonas nga Greqia në Maqedoninë (e Veriut) me çka është ndryshuar harta demografike në favor të maqedonasve e në dëm të shqiptarëve dhe të turqve. Ndërsa Marrëveshja Tito-Kyprili ka legalizuar shpërnguljen/dëbimin e shqiptarëve dhe të turqve edhe nga Maqedonia (e Veriut), ma çka harta demografike përfundimisht është kthyer në favor të maqedonasve. (Në vitin 1953 në Maqedoninë e Veriut kanë jetuar rreth 200.000 turq!)

E ardhmja e përbashkët nën ombrellën e atlantizmit

E vështruar në vazhdën e këtyre proceseve morbide dhe tragjike edhe për shqiptarët, Marrëveshja Kornizë e Ohrit, nëse nuk e paraqet pikën e kthesës, për fuqizimin e shqiptarëve në këtë shtet, e paraqet pikën ku u ndalë projekti për diskriminimin dhe margjinalizimin e vazhueshëm të shqiptarëve. Me atë marrëveshje fillon e ravijëzohet një luftë politike në një kontekst të ri politk e ndëretnik në Maqedoninë (e Veriut.) Për aq sa paraqet një fillim të ndryshim pozitiv të pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ajo marrëveshje është e lidhur me çlirimin e Kosovës në vitin 1999, me ndërhyrjen e NATO-s (Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake të Kumanovës) dhe me rezistencën e armatosur të shqiptarëve në Maqedoni në vitin 2001. Prandaj nuk është rastësi që edhe ndërmjetësimi për atë marrëveshje ka autorësinë amerikane, siç nuk ka qenë rastësi qënë vitin 1996, në kuadër të një force të OKB-së prej 1200 ushtarësh, 800 ishin ushtarë amerikanë. Pra, përmirësimi i pozitës së shqiptarëve në Maqedoni me anën e marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duhet të shihet në pako me çlirimin e Kosovës nga NATO dhe me futjen e kësaj hapësire ballkanike nën ombrellën e NATO-s. Çlirimi i Kosovës ka qenë vendimtar për çfarëdo lëvizjeje tësuksesshme tëshqiptarëve në Maqedoni. Më 18 gusht 1998 e kam skicuar stabilitetin e Maqedonisë të lidhur me pavarësimin e Kosovës me këto fjalë: “Në kontekstin e stabilitetit të Maqedonisë, pavarësia e Kosovës do të prodhonte këto përparësi. 1. Dobësimi i Serbisë do të mundësonte që të mos rritet presioni i saj mbi Maqedoninë, me anën e ekonomisë, që është mjaft komplementare me atë të Maqedonisë, me anën e shërbimeve të zbulimit që janë të mpleksura, me anën e sistemit informativ dhe propagandistik, që është dominant në Maqedoni, etj. 2. Shuarja e epiqendrës së krizës, të luftës në Kosovë, do të mundësonte fillimin e investimeve të huaja në Maqedoni, dhënien e kredive të volitshme dhe bashkëpunimin intensiv ekonomik me Kosovën, veçmas në fushën e energjetikës dhe të bujqësisë, ku puqen interesat e dy vendeve. Hekurana e Shkupit, fjala vjen, me vite ka marrë me çmime të ulëta energjinë elektrike nga Kosova. 3. Pavarësia e Kosovës i qetëson përfundimisht shqiptarët në Maqedoni, sepse për të gjithë shqiptarët prioritet është pavarësia e Kosovës. Shqiptarët në Maqedoni janë të gatshëm të participojnë në këtë projekt, duke pranuar Maqedoninë si shtet të tyre, sepse janë të vetëdijshëm se shqiptarët nuk mund ta kenë privilegjin që të formojnë një cikël shtetesh në Ballkan. Relaksimi i kufijve, bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor me Kosovën dhe me Shqipërinë, do të ishte koordinata plotësisht e akceptueshme për këtë fragment të kombit shqiptar. 4. Alternativisht, nëse dobësohet faktori shqiptar në Kosovë, atëherë frustrimi i shqiptarëve do të jetë shumë i madh. Ata do të përpiqeshin që të kompensonin humbjen, në një terren ku kanë gjasa më shumë, e ky terren realisht do të ishte Maqedonia. Radikalizimi dhe përplasja do të ishte e paevitueshme. Këtu përllogaritet edhe fakti që në Shqipëri do të vijë në të ardhmen në fuqi një qeveri e djathtë, që është më e ndieshme se qeveria e tashme kosmopolitike e Nanos. 5. Në një pako të njohjes së pavarësisë së Kosovës, mund të përfshihej edhe nënshkrimi dhe garantimi i paprekshmërisë së kufijve të Maqedonisë, nga ana e Kosovës dhe e Shqipërisë. Po të akceptohej ky realitet i fakteve dhe po të ndiqej kjo procedurë, është e sigurt se shqiptarët do të ishin mbrojtësit më të vendosur të stabilitetit të Ballkanit dhe të Maqedonisë, duke u përfshirë në integrimet rajonale dhe veçmas në Aleancën Veriatlantike, të cilën e shohin si garantuesin e vetëm ndaj rrezikut të pansllavizmit.”
Teksti i vitit 1998 nuk u citua këtu për të dëshmuar saktësi parashikimi. U citua për të treguar se mendimi politik shqiptar në Kosovë edhe në kohët më të vështira ka qenë në favor të ruajtjes së integritetit dhe sovranitetit të Maqedonisë, si një shtet edhe i shqiptarëve dhe i NATO-s.
Maqedonia e Veriut sot është anëtare e NATO-s, e ka zgjidhur kontestin emrit me Greqinë dhe është në procesin e integrimeve në Bashkimin Evropian. Të gjitha arritjet e saj e kanë edhe vulën e kontributit të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet. Lojaliteti i shqiptarëve tashmëështë verifikuar. Mbetet të eliminohet tërësisht edhe albanofobia tek maqedonasit.
Dhe ky shtet, që dy marrëveshjet e veta vendimtare i ka me emra liqenesh (Ohrit dhe Prespes) ka gjasa të mëdha që të ecën përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si shtet i dy popujve qëkanë vuajtur shumë dhe që kanë mbijetuar falë vullnetit të tyre po edhe mbështetjes vendimtare të SHBA e NATO-s, në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI. (22 korrik 2021)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas 17 sezonesh radhazi në NBA, basketbollisti LeBron James kupton…