MAShTI dhe MSh-ja koordinohen rreth procesit të përmbylljes së vitit shkollor

22 maj 19:03

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, e shoqëruar nga zëvendësministri Jusuf Thaçi, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Shtetëror të Maturës, dhe zëvendësministri Xhavit Rexhaj, i ngarkuar për çështjet e organizimit të testit të arritshmërisë, me datë 21 maj 2020 është pritur në takim nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani.

Në këtë takim mori pjesë edhe drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala.

Temë e diskutimit ishte zhvillimi i procesit arsimor në përmbyllje të vitit shkollor dhe të vitit akademik në kontekstin e pandemisë Covid-19.

MAShTI kërkoi opinione dhe sugjerime nga MSh-ja dhe IKShPK-ja për një sërë aspektesh si përfundimi i vitit shkollor dhe akademik, provimi i maturës dhe testi i arritshmërisë, provimet në institucione të arsimit të lartë dhe çështja e institucioneve parashkollore përfshirë edhe mundësitë eventuale të rihapjes së institucioneve edukative-arsimore publike dhe private bazuar në trendet epidemiologjike.

Palët u dakorduan se duhet vazhduar me qasjen e kujdesshme dhe me punën e deritanishme në menaxhimin e institucioneve dhe të procesit arsimor me qëllim të mbrojtjes së popullatës dhe luftimit të Pandemisë Covid-19.

Pas trajtimit në hollësi të gjitha çështjeve relevante, u vlerësua se duhet pritur edhe vlerësimin e paraparë të fazës së dytë të luftimit të pandemisë deri në fund të muajit maj.

“Kjo analizë e institucioneve tona përgjegjëse për menaxhimin e kësaj emergjence do të tregojë për hapat e mëtejmë për menaxhimin më të mirë të aktiviteteve të parapara për përfundimin e vitit shkollor dhe organizimin më të mirë të mundshëm të testeve kombëtare”, theksohet në njoftimin e MAShTI-t.

Ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i IKShPK-së u zotuan se do të ofrojnë përkrahje për proceset e ardhshme në sektorin e arsimit.

Palët, po ashtu, u dakorduan se kërkohet vazhdimi i mobilizimit dhe qasjes së angazhuari të gjithë Qeverisë dhe faktorëve arsimor, përfshirë drejtoritë komunale të arsimit dhe të menaxhmentit të shkollave për të menaxhuar si duhet fazën e ardhshme të pandemisë Covid- 19.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot…